VIDEO - Anëtarët e KPM-së 'nuk kanë qenë në dijeni' se për vërejtjen e hulumtimit ndaj 'Monopolit me dritë të diellit' ka pasur dy vendime

Me një procedurë të dyshimtë, përmes nxjerrjes së dy vendimeve krejtësisht të kundërta njëra me tjetrën për çështjen e njëjtë, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) i kishte shqiptuar vërejtje hulumtimit i cili mori çmimin kryesor nga Bashkimi Evropian për vitin 2020.

Violeta Hyseni Kelmendi, anëtare e KPM-së tha se nuk ka qenë në dijeni se kanë ekzistuar dy vendime.

“Ky është një rast që ka nodhur nga viti i kaluar dhe kur ka ardhur në komision për vendimmarrje ka ardhur në formën  e rekomandimit për shqiptim të vërejtjes. Zyra ekzekutive monitoruese kanë ardhur në konstatim se ka shkelje të kodit të etikës dhe kanë rekomanduar masën sanskionuese ndaj RTK-së për rastin në fjalë. Personalisht nuk kam qenë në dijeni në ka ekzistuar një raport ndryshe në nivel të zyrës së ekzekutivit dhe që më pas i njëjti është ndryshuar”, ka thënë ajo.

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media Xhevat Latifi, ka thënë se ai vendim ka pasur të bëjë me vullnetin e gjykimit.

“Çështja e vendimit në komision ka të bëjë më vullnetin e gjykimit”, tha ai.

Edhe nënkryetari, Granit Musliu e ka mohuar të ketë qenë në dijeni ndërsa me kokë e kanë mohuar edhe kryetari i KPM-së dhe kryeshefi.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit kërkoj që ditëve në vijim të njoftohen për këtë rast.

Dyshimet në këtë proces janë shfaqur qysh në fazën e parë, fazë kjo e cila e përcakton edhe rrjedhën e procedurës së një rasti. KPM-ja, përkatësisht Divizioni i Monitorimit dhe Analizës dyshohet se ka ndryshuar gjetjet e raportit gjatë trajtimit të ankesës së Devollit, pasi lidhur me këtë ankesë ishin paraqitur dy raporte.

KALLXO.com ka zbuluar se KPM hartoj dy dokumente njëri i cili konstatonte se emisioni nuk ka pasur asnjë shkelje.

Gjashtë ditë më vonë KPM nxorri një vendim që binte në përfundime krejtësisht të kundërta me gjetjet paraprake pasi vlerësonte se hulumtimi i shfaqur nga emisioni “Jeta në Kosovë”, ishte i përshkuar me një serë shkeljesh etike.

Sipas dokumenteve të cilat i ka siguruar KALLXO.com, Udhëheqësi i Divizionit i Monitorimit dhe Analizës, Mirand Tafarshiku ka përpiluar një vendim të ri, të ndryshëm nga gjetjet e monitorimit të Zyrtares së Lartë, Luljeta Islamaj.

Kjo pasi raporti i datës 3 qershor 2020 i cili kishte konstatuar se hulumtimi nuk ishte i përfshirë në asnjë shkelje etike, ishte ndryshuar dhe nuk figuronte si i tillë në asnjërën nga fazat e tjera dhe në vend të tij, me datë 9 qershor 2020 ishte përpiluar një raport i ri nga Mirand Tafarshiku, i cili konstatonte se ka pasur një varg shkeljes nga emisioni në fjalë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Mirand Tafarshikun për të kërkuar sqarime se pse ishin përpiluar dy raporte me gjetje të ndryshme. Sipas Tafarshikut raporti i cili kishte konsatuar se nuk ka pasur shkelje ishte vetëm draft fillestar dhe sipas tij nuk ishin trajtuar të gjitha pretendimet e palës ankuese.

“Draftet fillestare, raportet e monitorimit dhe të gjeturat mund të ndryshojnë gjatë dhe pas konsultimeve brenda Divizionit të Monitorimit dhe pas konsultimeve me Departamentin Ligjor. Në rastin konkret është vlerësuar se raporti fillestar nuk ka përfshirë të gjitha pretendimet e palës ankuese dhe rrjedhimisht ka qenë e nevojshme të bëhet një rishikim i të gjeturave në raport me pretendimet ankimore të palët”, ka deklaruar Tafarshiku.

Sipas tij, raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

“Rastet e ndryshimeve, jo vetëm në këtë rast por edhe në raste tjera, ndodhin pas vlerësimeve dhe konsultimeve që zhvillohen brenda Departamentit të Monitorimit si dhe me Departamentin Ligjor në mënyrë që të sigurohet se çdo rast është trajtuar me profesionalizëm, paanshmëri ndaj palëve, të evitohet çdo paqartësi dhe mundësi që vendimet të ndryshohen ose shfuqizohen nga organet tjera shqyrtuese”, tha ai.

Mirëpo dokumenti të cilin e ka siguruar KALLXO.com, e të cilit Tafarshiku i referohet si draft fillestar, del të mos jetë i tillë pasi i njëjti është i nënshkruar dhe protokolluar përfundimisht nga zyrtarja Luljeta Islamaj.

Me 30 prill 2020, emisioni “Jeta në Kosovë” transmetoi hulumtimin e titulluar “Monopoli me dritë të diellit – ZRRE dhe Devolli”.

Ky hulumtim shpërfaqi mënyrën se si ZRrE kishte marrë vendim për caktimin e tarifave nxitëse për energji solare.

Si rezultat i rekomandimit të udhëheqësit Mirand Tafarshiku, me datë 3 nëntor 2020, KPM kishte shqiptuar vërejtje për RTK-në e cila kishte shfaqur emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ky vendim ishte gjetur me shkelje të mëdha administrative dhe ishte anuluar nga Bordi i Ankesave pasi i mungonte plotësisht arsyetimi.

Pas anulimit të vendimit, KPM-ja përsëri kishte konstatuar shkelje dhe i kishte shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje me shkrim”, Radio Televizionit të Kosovës.

Me vërejtjen ishte pajtuar më vonë edhe Bordi i Ankesave ndërsa tashmë rasti është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe është në pritje për trajtim.

Ankesa për këtë rast kishte ardhur pas publikimit të hulumtimit “Monopoli me Dritë të Diellit” ky hulumtim pati zbuluar se prapa gjashtë kompanive të cilat kanë përfituar nga ky vendim, qëndron një person i vetëm, Blerim Devolli.