
Anëtarët e KPM-së i quajtën dezinformata informacionet se planifikuan shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit
Me të hapur mbledhjen e parë për këtë vit (17.01.2025), anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave kanë shprehur shqetësim lidhur me siç i quajtën ‘lajmet e rreme’ se anëtarët e KPM-së kanë planifikuar që ta shkarkojnë kryetarin e KPM-së, Jeton Mehmeti.
Anëtari i KPM-së Besnik Berisha ka thënë se si pikë e rendit të ditës duhet të trajtohet tema për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së me qëllim që mos ta lë komisionin pa kuorum.
“Sot u lansua lajmi që KPM, anëtarët e KPM e kanë plan me shkarku kryetrarin e KPM-së, mua me habiti shumë. Është dezinformatë, askush se ka pas plan me shkarku kryetarin e KPM-së, tri ditë para se me i kalu afati”– ka thënë Berisha.
Berisha tutje ka thënë që meqenëse mandati i kryetarit skadon më 20.01.2025, duhet të ofrohet një zgjidhje me qëllim që mos të pengohet puna e KPM-së pas kësaj date.
“Meqenëse mandati i kryetarit skadon më 20.01.2025, unë mendoj që ne si KPM duhet të ofrojmë një zgjidhje që të sigurojmë që KPM do të ketë kryesi edhe pas kësaj date. Unë propozoj që si pikë e parë të jetë plotësim-ndryshimi i rregullores së punës me qëllim mundësimi i zgjedhjes së kryetarit”- tha ai.
Edhe anëtarët e tjerë Fitim Veliu dhe Luljeta Aliu janë pajtuar me mendimin e Berishës.
Kryetari i KPM-së nuk është pajtuar me propozimin që sot të vendoset për zgjedhjen kryetarit të KPM-së.
“Zgjedhja e një kryetari te ri duhet të bëhet në seancën vijuese kur të përfundon mandati i kryetarit ose të shkarkohet. Dhe argumenti se mund të mbetemi pa kryetar, nuk qëndron sepse anëtari më i vjetër i një organi të ri është përfaqësuesi i KPM-së deri sa të konsitutohet organi”- tha ai.