Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Anëtarësimi i Kosovës në organizata dhe nisma ndërkombëtare gjatë Qeverisë Kurti 2
Kosova si qëllim kryesor ka anëtarësimin në Aleancën Euro-Atlantike (NATO), Bashkimin Europian, Këshillin e Europës, dhe jo vetëm.
Që nga marsi i vitit 2021, që përfshin mandatin e Qeverisë Kurti II, Kosova ka arritur të bëhet pjesë e 11 organizatave dhe nismave ndërkombëtare, në shumicën prej të cilave u bë pjesë në vitin 2023.
Anëtarësimet e fundit kanë ndodhur në dhjetor 2023, kur Kosova u anëtarësua në Shoqatën Europiane të Kartës Rinore dhe në Kursin e Lartë të Drejtësisë Frankofone.
Në vitin 2023, Kosova u bë pjesë edhe Koalicionit të Veprimit për Drejtësi, Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Partneritetit të Qeverisë së Hapur, Shoqatës Frankofone të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
Ndërkaq, në vitin 2022, Kosova u bë pjesë e Konventës Europiane të Teatrit, Shoqatës Europiane të Doganave Sportive, Komitetit Ndërkombëtar Paraolimpik dhe Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informacionit.
Në vitin 2021, Kosova u bë pjesë e Horizon Europe, që është programi kryesor i financimit të BE-së për kërkimin dhe inovacionin, anipse Kosova nuk është pjesë e Bashkimit Europian.
Këto të dhëna, KALLXO.com i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Bazuar në të dhënat ueb-faqen e Komisionit Europian, Kosova merr pjesë në programet e BE-së për Kërkim dhe Inovacion që nga viti 2007. Mirëpo, anëtare e plotë e asociuar në Horizon Europe Kosova u bë në janar 2021.
Njësoj edhe Karta Europiane e Rinisë në të cilën Kosova është anëtarësuar së fundmi, është një organizatë jofitimprurëse që bashkon 40 organizata anëtare që lëshojnë Kartën Europiane të Rinisë për mbi 7 milionë të rinj në 36 vende në të gjithë Europën.
Kjo organizatë ka partner institucional Këshillin e Europës, organizatë për të drejtat e njeriut kjo, në të cilën Kosova tash e sa vite është në procedura të anëtarësimit, por që deri më tani ende nuk ka arritur të anëtarësohet për shkak të kushtëzimit për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese draft-raportin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në bazë të të dhënave zyrtare në rrjet, posedimi i Kartës europiane të rinisë që është e disponueshme për të gjithë të rinjtë nën moshën 30 vjeç, pavarësisht nga kombësia e tyre ose nëse janë studentë apo jo, u jep të rinjve akses në mbi 37,000 ulje dhe përfitime në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte.
Konventa Europiane e Teatrit, është një rrjet i krijuar europian i teatrove publike që mbështet bashkëpunimin ndërkufitar, shkëmbimin artistik dhe iniciativat teatrore.
Ndërkaq, Koalicioni i Veprimit për Drejtësi është një koalicion i organizatave ndërkombëtare të përkushtuar ndaj avancimit të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës përmes nismave bashkëpunuese.
Një nga organizatat që Kosova është anëtarësuar së fundmi është Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur e cila punon në adresimin e çështjes së personave të zhdukur nga konfliktet, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe fatkeqësitë.
Drejt zgjedhjeve të reja vendi po shkon pa marrë ulësen në Këshillin e Europës, që ishte ndër temat më pikante në rrafshin e anëtarësimit, por që mbeti në një farë heshtje zor të shpjegueshme. Përafërt, Kosova nuk arriti as të sigurojë njohje të reja, e veçmas as nga pesëshja e BE-së: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Katër të parat janë edhe anëtare të NATO-s.
Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, mekanizëm tejet të rëndësishëm për të drejtat e njeriut, Qeveria i dha dritën e gjelbër Kadastrit të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronën 24 hektarëshe për Manastirin e Deçanit.
Një gjë e tillë ishte parakusht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës. Por, edhe pse ky vendim ishte marrë më 13.03.2024, pak javë para hapit të dytë drejt anëtarësimit në këtë organizatë, Kosova përfundimisht nuk arriti të bëhej anëtare.
Kështu ndodhi për shkak se për hapin përfundimtar për anëtarësim Kosova u kushtëzua që të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draft-raportin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në mungesë të plotësimit të këtij parakushti, çështja e Kosovës mbeti jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17 maj 2024, edhe pse ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz mori një vendim të vonë, duke dërguar në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Në programin qeverisës, shkruan se Qeveria do të angazhohet për zgjerimin e gamës së organizatave në të cilat është anëtare, avancim në statusin e anëtarit të barabartë brenda organizatave dhe avancimin e interesave shtetërore në kuadër të kornizës institucionale, si dhe forcimin e rolit si kontribuues për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar.
Në anën tjetër, gjatë këtij viti, Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Pro këtij vendimi kanë votuar shumica e vendeve anëtare, një ka qenë kundër dhe 14 kanë abstenuar.
Anëtarët e asociuar, në këtë rast edhe Kosova, mund të paraqesin dhe të kërkojnë ndryshime në rezolutat e Asamblesë Parlamentare (AP) të NATO-s.
Diplomacia në “letargji”: Katër vjet pa asnjë njohje të shtetit