Anëtarësimi i Kosovës në OKB, temë diskutimi mes delegacioneve nga Kosova e Shqipëria

Një javë pasi pritën deputetë nga Komisioni parlamentar për punë të jashtme i Kuvendit të Shqipërisë, sot deputetët kosovarë që janë pjesë e komisionit për punë të jashtme kanë pritur një delegacion nga Qeveria e Shqipërisë.

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka qenë temë e diskutimit në takimin të cilin Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë e ka pasur me delegacionin  nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Pas këtij takimi, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha që u diskutua për hapat që mund t’i bëjnë të dy vendet për t’i hapur rrugën Kosovës.

“I gjithë takimi jonë u fokusua në mundësinë dhe potencialit e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të punëve tona në drejtim të Kombeve të Bashkuara, aty ku tani më Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit. Është një listë e gjatë e veprimeve që janë duke ndodhur, por është një moment intensifikimi drejt institucioneve ndërkombëtare, Kombeve të Bashkuara”, tha Abazi.

Sipas Abazit, ‘rrethanat në të cilat jemi mundësojnë një bashkëveprim më të madh të të dyja shteteve në këtë drejtim”.

Gazmend Turdiu, përfaqësues i Delegacionit nga Shqipëria tha që ata janë të gatshëm të kontribuojnë për Kosovën.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje shumë e madhe dhe përgjegjësi e madhe. Ne jemi të fokusuar për të kontribuar për stabilitetin e sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku natyrisht çështja e Kosovës është një gjë madhore dhe me ndikim pozitiv në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Biseduam sesi mund të bashkërendojmë për t’i shtyrë përpara në organizatat ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Sigurimit agjendat tona të përbashkëta”, tha ai.

Javën e kaluar, Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës ka pritur në takim, komisionin për Punë të Jashtme të Shqipërisë.

Lufta në Ukrainë, temë diskutimi e Komisioneve të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë