Anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme e konsiderojnë si pazar politik emërimin e djalit të Haxhi Shalës si Konsull

Gjatë ditës së djeshme u publikua në media lajmi se djali i deputetit Haxhi Shala, Flakroni, me dekretin e ish presidentit Hashim Thaçi është emëruar konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë.

Emërimi i Flakron Shalës u komentua shumë, dje e sot.

Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës e kanë cilësuar “pazare politik për interesa partiake” emërimin e Flakron Shalës si konsull  në Çeki.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Fitore Pacolli, zëvendëskryetare  e këtij Komisioni ka thënë se kjo nuk është hera e parë kur vota e deputetëve ‘shitet’ për ndonjë pozitë në shërbimin e jashtëm të Kosovës.

“Qeveritë e LDK, PDK dhe AAK shërbimin e jashtëm nuk e shohin si mjet për të promovuar e avancuar interesat e Kosovës, por për interesat e tyre private e partiake. Rrëzuan Qeverinë Kurti për të rehatuar familjarët e tyre nëpër pozitat shtetërore”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj, kjo tregon se ‘klubi i stërvjetëruar’ politik duhet të largohet nga pozitat udhëheqëse, ndërsa ka thënë se Komisioni nuk ka qenë i informuar për asnjë vendim të MPJ-së, sa i përket emërimit të Shalës.

Anëtarja tjetër e Komisionit, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se Qeveria po dështon të përfaqësojë interesat e qytetarëve brenda Kosovës dhe në nivelin ndërkombëtar.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Musliu-Shoshi ka thënë se Kosova ka mbetur pa zërin e saj dipolomatik në qendrat kryesore vendimmarrëse si Uashington, Londër, Belgjikë e Tokio.

Ajo ka konsideruar se emërimet e bazuara në pazare politike nuk sigurojnë përfaqësimin për të cilin ka nevojë Kosova.

“Kjo mungesë e prezencës shtetërore të Kosovës tregon mos-koordinimin dhe pa përgjegjësi të qeverisë për të mbrojtur interesin shtetëror përpara atij partiak, në kohën kur shteti ynë ka nevojë më shumë se kurrë të mbroj të vërtetën dhe sakrifcën e këtij populli”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Anëtari tjetër i LVV-së anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Gazmend Gjyshinca, për KALLXO.com ka thënë se emërimi i djalit të Haxhi Shalës, Flakron Shala, në pozitën e konsullit të përgjithshëm, tregon për vizionin e Qeverisë Hoti për diplomacinë.

“Emërimi i Flakron Shalës për konsull në Pragë është tregues i vizionit të Qeverisë Hoti mbi shërbimin diplomatik të shtetit. Vizion ky që ndërtohet mbi premisat e një shërbimi të jashtëm që punon për pazaret e brendshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo qasje e tillë e emërimeve dëmton Kosovën në prioritetet e saja.

“Degradimi i MPJD përmes praktikave nepotiste cenon në mënyrë thelbësore prioritetet ndërkombëtare të Republikës sonë. Në veçanti subjektivitetin tonë ndërkombëtar”, ka thënë Gjyshinca.

Tutje ai ka paralajmëruar se kjo çështje do të ngritet edhe në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, ka reaguar vetë Flakron Shala, duke thënë se emërimi i tij ishte i ligjshëm dhe se babai i tij, Haxhi Shala, nuk ka ndikuar në emërim.

Përmes një postimi në Facebook, Shala ka thënë se profili i tij është paragjykuar duke shtuar se babai i tij nuk ka ndikuar në emërimin e tij në këtë pozitë pasi që sipas tij ai nuk ka kompetencë të tillë.

“Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua. Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjitḧshëm”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për emërimin e djalit të Haxhi Shalës si konsull në Çeki.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hoti ka thënë se për këtë është njoftuar nga mediat.

“Për emërimin e Konsullit të  Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua”, tha Hoti.

Konsulli i emëruar “tinëz”, Hoti thotë se për emërimin e djalit të Haxhi Shalës u njoftua nga mediat