Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anesteziologu, Nehat Baftiu e quan të padrejtë vendimin e Komisionit Disiplinor për heqjen e 20% të pagës

Komisioni Disiplinor ka marrë vendim t`ia heq për një muaj 20 % të pagës të anesteziologut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Nehat Baftiu.

Mirëpo, ky i fundit këtë vendim e quan të pakuptimtë dhe të padrejtë.

Sipas tij, vendimi për të dënuar atë erdhi pasi që një anesteziologe ka munguar një ditë në punë dhe nuk ka lajmëruar për mungesën e saj, por drejtori në një prononcim për KALLXO.com thotë se i ka dhënë dënim doktoreshës për këtë veprim, për këtë Baftiu thotë se ka lajmëruar komisionin dhe se këta të fundit i kanë thënë “më falni që të kemi thirrur por nuk e paskëm ditë që i keni dhënë këtë vërejtje”.

“Nuk e di pse. Është absolutisht e padrejtë ajo. Unë nuk po e kuptojë drejtorin në këto sene. Unë veprimet e mia i kam bërë të drejta. Është vonu një ditë një anesteziologe unë e kam dënu i kam hjek mëditjen dhe i kam dhënë vëretje me shkrim dhe këtë e ka ditë komisioni, kam dal kam pi kafe dhe më kanë thënë m’falni që të kemi thirr se nuk e paskemi ditë që i keni dhënë këtë vërejtje. Unë nuk kam pas asnjë ankesë as nga pacienti as nga familjarët e tij. Doktoresha V. është vonu se ka qenë e sëmurë unë i kam mbajtë sallën e saj se ka qenë e sëmurë dhe unë nuk po e kuptoj këtë dënim që ma kanë dhënë, heqjen e 20% të pagës”, tha ai për KALLXO.com.

Për këtë vendim, KALLXO.com ka telefonuar Florim Zejnullahun, kryetarin e Komisionit Disiplinor, por i njëjti nuk ka dhënë detaje pasi që ka thënë se shumë shpejtë do të dalin me një komunikatë për media.

ShSKUK ka marrë vendim që të shkarkoj nga pozita e drejtorit të Kardiologjisë, Imri Jasharin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vet kryetarja e bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj- Gashi.

“Po, është e vërtetë. Komisioni disiplinor e ka ulë në pozitë, e ka shkarku nga pozita. Mundet të punojë si mjek. Të them të drejtën nuk i di arsyet Komisioni disiplinor ka vendosur ashtu”, tha ajo.

Tutje, ajo tregoi se edhe anesteziologut, Nehat Baftiut i është hequr një pagë “sigurisht ka pas arsye drejtori i përgjithshëm i ka dërguar në Komision Disiplinor”.

Në mënyrë që të kuptohen arsyet e shkarkimit të Jasharit dhe të heqjes së pagës ndaj Baftiut KALLXO.com ka provuar të kontaktojë drejtorin e përgjithshëm të ShSKUK-së, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Tutje, KALLXO.com ka provuar të flas edhe me ish-drejtorin Imri Jashari, por i njëjtit nuk ka qenë i qasshëm.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar për këtë rast.

Shkarkohet nga detyra drejtori i Kardiologjisë, Imri Jashari