Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anesa Qollakoviq: Adrijana Hoxhiq po u thotë boshnjakëve të Kosovës se e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve

Në “Kallxo Pernime” është duke u diskutuar për planin e subjektit politik Lista Serbe që të kalojë numrin prej 10 deputetëve sa i kanë të rezervuara sipas Kushtetutës së vendit.

Këtë Lista Serbe është duke e provuar ta bëjë përmes komuniteteve të tjera, duke i shpërndarë votat e tyre në ato parti që deputetët e ardhshëm t’i takojnë grupit parlamentar të Listës Serbe.

Anëtarja e partisë NDS, Anesa Qollakoviq tha në “Kallxo Pernime” se kjo mund të vërehet që nga e kaluara kur deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxhiq, ishte bërë pjesë e grupit parlamnetar të Listës Serbe.

“Unë e shoh si pilot-projekt të Listës Serbe komunitetin goran. Aty ka funksionuar. Ai është rasti kur i është bashkangjitur Adem Hoxha Listës Serbe. Është punuar ndër vite që të arrijnë deri këtu. Tash jemi me rastin e zonjës Hoxhiq”, tha fillimisht Qollakoviq.

Edhe ish-deputetja Dude Balje ka përmendur një palë zgjedhje që ish-deputeti Adem Hoxhiq kishte marrë rreth 300 vota në Deçan.

“Në një palë zgjedhje, Adem Hoxhiq i ka pasur 300 vota në Deçan. Ne kemi insistuar që të hapen kutitë dhe me pa nëse ka ndonjë votë. Në Deçan asnjë prej komuniteteve nuk jeton. Këtu ka plan. Nëse merr vota prej komunitetit serb, ti je ‘lojëtar’ i tyre”, tha në mes tjerash Duda Balje.

Në anën tjetër, Anesa Qollakoviq ka treguar për një bisedë që ka pasur me Adrijana Hoxhiq, ish-ministren e Pushtetit Lokal në Kosovë.

“Zonja Hoxhiq më ka ftuar në zyrë për t’u inkuadruar në listë. Ajo çka më është dukur interesant është se për t’i tërhequr njerëzit po i përdorë Bashkimin Evropian, Ambasadën britanike, Komisionin Evropian. Po më përkrahin, po më thonë tash është koha jote, duhesh me u avancu. Njerëzit që jetojnë në Mitrovicë e Pejë e marrin këtë si të mirëqenë. Këto fjali po i shkojnë tek qytetarët. Mendojnë që kjo e ka përkrahje. Por unë nuk kam parë asnjë deklaratë të tillë”, tha në mes tjerash ajo.