“Andrrat e thyera” të grave të vrara bëhen mural në Prishtinë. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

“Andrrat e thyera” të grave të vrara bëhen mural në Prishtinë

“Andrrat e thyera” është murali i fundit i cili ka zënë një mur në një ndër rrugët me të frekuentuara të Prishtinës. Ky mural i cili ka në ballë dy gra, e që në shikim të parë bartin vuajtje dhe qëndresë, ka për qëllim që të ngrisë vetëdijen e shoqërisë dhe institucioneve kundër dhunës ndaj grave.

Një mural gjigant në të kaltërt e në mes të vendosura dy gra me fytyra të mavijosura nga dhuna ka kapluar një murin e një ndërtese në rrugën “Agim Ramadani’ në Prishtinë. I punuar nga artistja dhe piktorja e njohur, Fitore Berisha Alisdottir mural është revoltë ndaj dhunës dhe vrasjeve të grave në Kosovë.

Artistja me përvojë 25 vjeçare në art dhe murale, Fitore Berisha për Prishtina Insight tha që ky mural është realizuar si formë e artit të mirëfilltë dhe ka qenë i nevojshëm që të realizohet në kryeqytet. Këtë mural, piktorja po e konsideron një revolucion ndaj ndërrimeve shoqërore.

“Andrrat e thyera” të grave të vrara bëhen mural në Prishtinë. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Ndërsa arsyeja se pse ka vendosur ta pikturoj pikërisht në Prishtinë, artistja thotë që është murali ka më shumë kuptim dhe është ‘më i zëshëm’,  në kryeqytet aty ku është Qeveria dhe institucionet tjera të rëndësishme. 

“Si artiste kam një ndjeshmëri të fortë emocionale ndaj padrejtësive. Me zemer të thyer për jetërat e humbura te grave nga dhuna e partnerëve të tyre,” thotë Berisha.

Këtë vepër ajo e konsideron si një akumulim të dëshpërimit nga shoqëria dhe sistemi, që akoma nuk arritën të krijojnë një shoqëri ku këto tragjedi nuk ndodhin më.

Ky projekt i Berishës në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore ka filluar menjëherë pas pandemisë për shkak se sipas Berishës, rastet e dhunë në familje ishin shtuar, dhe numri i rasteve të raportuara ende është i madh.

“Andrrat e thyera” të grave të vrara bëhen mural në Prishtinë. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

Marigona Osmani, Sabile Mavrovqani, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati, Hatije Dina, Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj janë vetëm disa nga emrat e grave të vrarë nga partnerët apo bashkëshortët e tyre në Kosovë vitet e fundit.

Të dhënat nga Fondacioni Millenium Kosova të mbledhura gjatë pesë viteve nga 2016 deri në 2020 tregojnë se viktimat i drejtohen së pari Policisë së Kosovës.

Gjatë pesë viteve, policia ka dorëzuar afër 7800 raste të dhunës në familje në Prokurorinë e Shtetit.

Vetëm gjatë vitit 2021 janë raportuar në polici 2486 raste të dhunës në familje, prej tyre 1986 të raportuara nga gratë. Qyteti me më shumë raste të dhunës në familje të raportuara për vitin 2021 është Prishtina.

“Kam qenë e revoltuar shumë dhe për mua ka qenë e rëndësishme që sa më parë të krijoj vepër me mesazh të fortë për të gjithë ato gra që iu janë amputuar ëndrrat e tyre,” shtoi ajo.

Piktorja ka dëshirë që të realizoj murale të tjera me mesazhe ndërgjegjiesuese edhe në qytetet tjera të Kosovës. 

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.