“Andrew Tate na dhunonte ...”, dëshmojnë disa prej viktimave
Dy gra, të cilat thonë se u dhunuan dhe u ngufatën prej influencerit me ndikim në rrjetet sociale, Andrew Tate, kanë folur për BBC-në për përvojat e tyre.
Edhe një grua tjetër ka treguar për herë të parë se ishte dhunuar nga vëllai më i vogël i Tates, Tristan – gjithashtu influencer me miliona ndjekës në mediat sociale.
Vëllezërit Tate, 37 dhe 36 vjeç, akuzohen tashmë në Rumani për trafikim të qenieve njerëzore dhe për krijimin e një grupi të organizuar për shfrytëzim seksual të grave. Andres Tate akuzohet edhe për dhunim.
Nëse shpallen fajtorë, dy burrat mund të dënohen me më shumë se dhjetë vjet burgim. Ata fuqishëm i hedhin poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre.
Andrew Tate ndodhet në arrest shtëpiak në Rumani. Pos akuzave më të cilat përballen, prokurorët po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së pikave të tjera në aktakuzë, përfshirë atë për marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe për trafikim të personave të mitur. Dy vëllezërit po hetohen për trafikimin e 34 grave të tjera.
Tani dy gra britanike, që nuk janë përfshirë në rastin e ngritur kundër vëllezërve Tate në Rumani, kanë rrëfyer hollësisht për BBC-në sesi ishin keqtrajtuar nga Andrew. Ata e akuzojnë për dhunim dhe dhunë. Akuzat janë për raste që kanë ndodhur dhjetë vjet më parë kur Tate po jetonte në Luton.
Një tjetër grua britanike ka ngritur akuza ndaj Tristan Tate për dhunim, duke theksuar se ai e kapte për fyti.
Anna (emri i së cilës është ndryshuar nga BBC-ja për shkaqe ndjeshmërie) ka deklaruar se si kishte dalë me Andrew Tate në Luton më 2013. Pas disa takimesh kishin shkuar në shtëpinë e tij.
“Ai nisi të më puthte… dhe derisa po shikonte tavanin tha: ‘Jam me dy mendje a duhet të dhunoj, apo jo’. Pa pritur e kujtuar, më kapi për fyti, më përplasi për shpinoren e kauçit, dhe më ngufati fort”, ka thënë Anna.
Ajo ka thënë se pas sulmit, Tate i dërgoi mesazhe shqetësuese dhe audo-porosi për dhunimin dhe dhunën seksuale.
“A jam njeri i keq? Sepse sa më shumë që nuk të pëlqente, aq më shumë kënaqeshe unë”, i thoshte në njërin prej audio-mesazheve.
Në një mesazh të shkruar thoshte: “Më pëlqen të të dhunoj”.
Anna thotë se ai ishte munduar ta paraqiste ngufatjen si shaka. “A përnjëmend jeni ofenduar pse të ngufata pak?”
Kur BBC-ja e pyeti për mesazhet, Tate refuzoi të komentonte.
Më 2014, Anna e kishte njoftuar Policinë e Bedfordshiret për sulmin. Edhe dy gra tjera kishin ngritura dyshime të tilla, dhe policia kishte nisur një hetim.
Më 2019, një dosje i ishte dërguar Shërbimit Mbretëror Prokurorial, por ishte vendosur se nuk kishte mjaftueshëm dëshmi për të hapur rast.
Një grua tjetër, të cilën BBC-ja i referohet si Sienna, ka përshkruar një histori të ngjashme.
Ajo ka thënë se për herë të parë e kishte takuar Andrew Taten para një dekade në Luton: “Kaluam shumë mirë dhe çuam disa gota”.
Ajo thotë se kaluan atë që e përshkruan si “one-night stand” standarde.
Pas disa muajsh, Sienna ishte takuar përsëri me Taten. Ajo pretendon se në këtë rast u sulmua prej tij.
“Shkuam në dhomën time të gjumit… dhe nisëm të bënim seks”, thekson ajo. “Në atë moment ai ma kapi fytin me dy duart”.
Sienna nuk po mund të merrte frymë dhe se humbi vetëdijen. Kur iu kthye vetëdija, ai ende po bënte seks me të.
“Unë isha absolutisht e tmerruar”, thekson ajo. “Vetëm e di se po luftoja për të marrë frymë… ishte dhunim”.
Në mëngjes, kishte një shenja dhune në sy.
“Të bardhët e njëri sy më ishte skuqur krejtësisht – është diçka e zakonshme në rastet e dhunës në familje kur viktimat përjetojnë ngufatje”.
Një mik i Siennas ka thënë se ajo i kishte treguar atëherë për incidentin. Ai thotë se gjithashtu se ia kishte parë vetë shenjat e dhunës në sy.
Sienna nuk ishte lajmëruar në polici dhe nuk është pishman.
BBC Panorama është e informuar hollësisht me rastet e pesë grave në Britaninë e Madhe, të cilat thonë se janë ngufatur prej Tatet gjatë marrëdhnëieve seksuale.
Kur televizioni britanik e kishte intervistuar vjet, Tate i kishte hedhur poshtë akuzat për ngufatje ose se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një grua pa pëëlqimin e saj.
“E di që asnjëherë nuk e kam lënduar askënd. Nuk është në natyrën time që të lëndoj njerëzit”, ka thënë ai.
Në gjysmën e dytë të dekadës së kaluar, Andreë Tate nisi ngritjen e famës në internet.
Video e mizogjenit të vetëpërshkruar në YouTube dhe TikTok, si dhe postimet në Twitter, bën që miliona ndjekës ta përcillnin dhe të krijonte profil botëror.
Ai predikonte mesazhe që përfshinin edhe ato se meshkujt gjithnjë duhet t’i dominojnë gratë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com