Ilustrim
Andin Hoti i drejtohet me shkresë Serbisë për arkivat që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka bërë të ditur se bazuar në deklaratën e nënshkruar në Bruksel i janë drejtuar Serbisë me shkresë për të kërkuar arkivat që ndihmojnë në zbardhjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
Në shkresën e cila është publikuar nga Hoti kërkohet që të sigurohet qasje e plotë në informacione të sakta dhe besueshme që ndihmojnë në gjetje dhe identifikim të personave të pagjetur gjatë periudhës 1 janar 1998-31 dhjetor 2000.
“Kjo përfshin të gjitha materialet, urdhrat, dokumentet, video, audio incizime, madje edhe ato dokumente me status të klasifikuar”.
Sipas tij, kjo është vetëm shkresa e parë me të cilën i janë drejtuar Serbisë.
“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.
Hoti theksoi se ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq informacione të klasifikuara, përfshirë për komandën 37 të Ushtrisë Jugosllave.
“Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”- thuhet tutje në njoftimin e tij.
Ai theksoi se shkresa e parë fillon Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar.
Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe.
Mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në luftë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.
Në mesin e të zhdukurve është edhe babai i Andin Hotit, veprimtari Ukshin Hoti.
Më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, Hoti dyshohet se është zhdukur nga polica serbe pa lënë gjurmë.