
Andin Hoti i dërgon letër përfaqësueses së BE-së, kërkon hapa konkret për të detyruar Serbinë të hapë arkivat shtetërore
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka njoftuar se ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësuesës së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës.
“Në këtë letër, kemi kërkuar hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve, bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë, dhe llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj”- ka thënë ai.
Hoti ka thënë se Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
“Kosova ka ndërtuar paqen mbi drejtësinë dhe të vërtetën, dhe nuk do të ndalemi deri sa secili i zhdukur të kthehet tek familja e tij dhe Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera. Lavdi të rënëve për liri! Nderim për të zhdukurit me dhunë! Gëzuar Pavarësinë, Kosovë”- ka shkruar ai.
Hoti pati njoftuar sepala serbe ka refuzuar që të marrë pjesë në takimin e parë të Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit, që ishte planifikuar të mbahej sot më 15.01.2025, në Bruksel.
Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.
Hoti thotë se Serbia refuzoi të takohej në Bruksel me Komisionin e Përbashkët për të Pagjeturit