Analizat mjekësore vonojnë përsëri gjyqin e ish-gjeneralit serb të Bosnjës

Në vonesën më të fundit në procedurat gjyqësore kundër Novak Djukiq, i cili është dënuar tashmë në Bosnjë për masakrën e vitit 1995 në Tuzla, Gjykata e Lartë e Beogradit po pret ende rezultatet e analizave mjekësore për të përcaktuar nëse ai është apo jo në gjendje të marrë pjesë në seancat gjyqësore.

Gjykata e Lartë e Beogradit ka që në prill që pret rezultatet e testeve për të përcaktuar nëse Novak Djukiq, komandanti i kohës së luftës i Grupit Taktik të Ozrenit i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, mund të paraqitet në gjykatë, duke vonuar përsëri procedurat afatgjata në këtë rast, ka mësuar BIRN.

Djukiq u dënua me 20 vjet burg në 2014 nga gjykata shtetërore e Bosnjës, e cila e shpalli atë fajtor për urdhërimin e granatimit të zonës Kapija të qytetit të Tuzlës më 25 maj 1995. Një total prej 71 personash, shumica prej tyre të rinj, u vranë gjatë sulmit.

Por kur Djukiq do të fillonte të vuante dënimin e tij, ai nuk u paraqit. Mbrojtja e tij tha se ai po i nënshtrohej një trajtimi mjekësor në Serbi.

Djukiq është një qytetar i Serbisë, që do të thotë se ai nuk mund të ekstradohet në Bosnje dhe Hercegovinë. Atëherë Serbisë iu kërkua të merrte përsipër zbatimin e vendimit në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi juridike midis dy vendeve.

Megjithatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Gjykata e Lartë e Beogradit ka disa vjet që e shtyn vendimin e saj në këtë çështje.

Avokati i tij Milorad Konstantinoviq tha para gjykatës në vitin 2018 se Djukiq ishte “shtruar në spital për probleme psikiatrike”, por asnjë detaj më shumë rreth gjendjes së tij nuk është bërë publik.

Në prill të këtij viti, gjykata urdhëroi të kryhen teste të reja për të përcaktuar nëse ai mund të paraqitet apo jo në gjykatë. Më shumë se dy muaj e gjysmë më vonë, rezultatet nuk ishin marrë, kështu që më 2 korrik, gjykata urdhëroi që ato të ofrohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Edhe dy muaj e gjysmë më vonë, ekspertët e gjykatës thanë se rezultatet nuk ishin firmosur sepse një prej anëtarëve të komisionit të ekspertëve ishte jashtë shtetit dhe në fund të tetorit, rezultatet ende nuk kishin mbërritur për shkak të sëmundjes së një anëtari tjetër të komisionit.

Çështja Djukiq tani ka qenë në gjykatën e Beogradit për më shumë se katër vjet. Ajo duhet të fillonte në qershor 2016, por për shkak të sëmundjes së Djukiqit, seanca fillestare u shty disa herë.

Një analizë fillestare e gjendjes së tij zbuloi se ai ishte i aftë të merrte pjesë në gjyq, por ai vazhdoi të mos paraqitej në gjykatë, kështu që në prill 2018 u kërkua një analizë e dytë.

Komisioni i ekspertëve më pas tha se ai ishte përkohësisht i paaftë për t’u paraqitur në gjyq, kështu që gjykata më pas kërkoi një mendim të tretë mjekësor në prill të këtij viti, i cili ende nuk është dorëzuar.

Mes vonesave, në Serbi ka pasur përpjekje të përsëritura për të mohuar gjetjet e gjykatës boshnjake se masakra e Tuzlës ishte kryer nga forcat serbe të Bosnjës.

Javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes në Serbi organizoi një event promovues për një libër të ri që pretendon se vërteton se forcat serbe të Bosnjës nuk e sulmuan qytetin dhe se shpërthimi vdekjeprurës u shkaktua nga një pajisje shpërthyese e vendosur aty më parë nga të tjerë.

Ekipi mbrojtës i Djukiqit gjithashtu ka hapur një faqe në internet për të promovuar çështjen e tij dhe ka organizuar atë që e përshkroi si një rindërtim të incidentit, në të cilin u stimulua një sulm me predha ndaj modeleve të ndërtesave. Ky rindërtim i incidentit u mbajt në një qendër të Ushtrisë Serbe në Nikinci, afër Rumës.

Ekipi mbrojtës i Djukiqit pretendoi se ata vërtetuan se njerëzit që vdiqën nuk mund të vriteshin nga një predhë e qëlluar nga pozicionet e Ushtrisë Serbe të Bosnjës.