Blerim Vela

Analisti politik komenton lirimin e të akuzuarve në rastin ‘Pronto’ dhe vonesat për qeverinë e re

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Blerim Vela e ka kritikuar mosarritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në ditën kur të akuzuarit në rastin e përgjimeve “Pronto”, janë liruar nga të gjitha akuzat nga Gjykata e Prishtinës.

“Derisa PDK përkujdeset për lëshimin e certifikatave të ‘pafajësisë’ nga gjykatat për korrupsionin e eksponentëve të tyre, LVV dhe LDK vazhdojnë ‘betejën’ e egove politike dhe nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje të kompromisit për bashkëqeverisje”, ka shkruar Vela në rrjetin social Facebook.

Sipas analistit, LVV dhe LDK bartin përgjegjësinë e plotë për secilën ditë vonese në krijimin e qeverisë së re dhe fillimin e punës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kthjelluni, interesi publik duhet të jetë para egove dhe sedrës së individëve”, thuhet në publikimin e tij.

VV-ja si parti që ka dalë e para në zgjedhje dhe LDK-ja e dyta nuk kanë arritur ende një marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje.

Në anën tjetër, Gjykata e Prishtinës sot shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”.

Gjykata vendos për të akuzuarit e rastit ‘Pronto’

Gjykata ka gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutiv në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike, ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’. Sipas akgjykimit të shpallur sot, gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet ‘’Pronto’, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.