Armend Muja, Foto: Albin Kurti/ Facebook

Analisti Armend Muja aderon në Vetëvendosje

Analisti kosovar, Armend Muja, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

“Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lideri i Vetëvendosjes Kurti ka prezantuar dhe një biografi të Mujës.

“Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje”, thuhet në publikimin  e tij.

Para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, në partitë politike po aderojnë personalitete të ndryshme të vendit.