
Foto: Edward P Joseph/Twitter
Analisti amerikan: Presidenti serb krijon krizë dhe më pas e paraqet veten si ‘zgjidhës i problemeve’
Analisti amerikan i politikës së jashtme Edward Joseph ka shprehur opinionin e tij lidhur me skadimin e afatit për tabela të makinave dhe dokumentet identifikuese si masë reciprociteti e Kosovës me Serbinë.
Përmes rrjetit Twitter Joseph është shprehur se zbatimi i këtij vendimi nuk nënkupton njohje të Kosovës nga Serbia, duke iu referuar edhe një deklarimi të zëvendësk ryeministrit Besnik Bislimi.
“Kjo ‘krizë’ nuk ka të bëjë me njohjen e nënkuptuar të Kosovës. Në një intervistë në muajin mars, kryenegociatori dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi e pranoi këtë kategorikisht. Bislimi ofroi të përfshijë deklaratën se “Kjo [marrëveshje] nuk do të thotë se Serbia e njeh Kosovën” – shkroi ai.
Analisti tutje shton se Kosova i menaxhon të hyrat doganore në kufi dhe shumica e serbëve kanë dokumente e tabela të Kosovës.
“Kosova mbledh të hyra doganore dhe ka “Menaxhim të Kufijve”, pse gjithë kjo bujë e madhe? Rreth 90% e serbëve të Kosovës, në veri dhe në jug, posedojnë dokumente zyrtare të lëshuara nga Republika e Kosovës, sipas serbëve të Kosovës” – shtoi analisti.
“Greqia nuk e njeh Kosovën, e megjithatë i pranon targat RKS dhe dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Provë shtesë se kjo nuk sjell ‘krizë sovraniteti'” – shtoi Joseph.
Sipas Edward Joseph, nëse shqetësimi i Serbisë janë të drejtat e serbëve të Kosovës, atëherë Vuçiq të udhëheqë rrugën për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Nëse shqetësimi ka të bëjë me sigurimin e të drejtave të serbëve të Kosovës, atëherë Vuçiq mund të udhëheqë rrugën që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, duke u ofruar serbëve të Kosovës qasje në GJEDNJ (Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut). Kjo do të ndryshonte menjëherë marrëdhëniet” – shton më tej Joseph.
“Në vend të kësaj, Vuçiq po përdor retorikën famëkeqe të kohës së luftës që i parapriu spastrimit etnik dhe gjenocidit në Bosnje”.
Edward Joseph më tej potencoi se Milan Radojiçiq dhe figura tjera në Kosovë janë informuar nga ambasadori amerikan se masat e reciprocitetit të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe legjitime.
Ai më tej thekson se Kosova është e obliguar të zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në përputhje me Kushtetutën e saj. Sipas tij, në vjeshtën e vitit 2020, paraardhësi i Kurtit, Avdullah Hoti, nënshkroi Marrëveshjen e Uashingtonit ku u pajtua që Asociacioni të vihet në rend dite po ashtu.
Lidhur me situatën e krijuar, Joseph thotë se Beogradi u përgjigj me kërcënime, fyerje dhe provokime, të udhëhequra nga ish-ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.
“Tani duke shërbyer si Ministër i Brendshëm, Vulin sapo ka takuar Lavrovin dhe Patrushevin në Moskë – në kundërshtim të hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së, të gjitha këto me dritë të gjelbër nga Vuçiq” – shtoi ai.
“Me pak fjalë: preteksti teatror i Vuçiqit po vazhdon. Presidenti serb krijon krizë dhe më pas e paraqet veten si ‘zgjidhës i problemeve’ dhe ‘partner i Perëndimit’. Dinamika e ngjashme në Bosnje me ‘përmbajtjen’ e Dodikut dhe mbështetjen e rreme të sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës” – theksoi ai.
“Kush e di? Ndoshta teatri i Vuçiqit do të çojë në një përparim të ri. Sidoqoftë, le të pranojmë talentin e presidentit Vuçiq, i cili ka krijuar këtë krizë të rreme” – është shprehur Joseph.
Edward Joseph është analist i politikës së jashtme me 15 vite përvojë në Ballkan, Irak, Afganistan, Pakistan dhe Haiti.
Kurti tregon gjashtë pikat e propozuara në Bruksel për marrëveshjen finale me Serbinë