Gaza, Foto: Pixabay. Ilustrim

“Amnesty International”: Izraeli po kryen gjenocid në Gazë – Izraeli i mohon akuzat

“Amnesty International” ka akuzuar Izraelin për kryerje të gjenocidit në Rripin e Gazës gjatë luftës kundër “Hamasit”, duke thënë se Qeveria izraelite është munduar të shkatërrojë qëllimisht palestinezët duke kryer sulme vdekjeprurëse, shkatërruar infrastrukturën jetike dhe parandaluar shpërndarjen e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmave të tjera, ka raportuar më 06.12.2024 agjencia amerikane e lajmeve, AP.

Grupi i të drejtave të njeriut ka publikuar të enjten një raport për Lindjen e Mesme, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të justifikoheshin me sulmin e “Hamasit” në tetor të vitit 2023 ndaj Izraelit, i cili ndezi luftën, ose prania e militantëve në zonat civile. “Amnesty” ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Izraelit mund të jenë bashkëpunëtorë në gjenocid dhe u bëri thirrje të ndalojnë dërgesat e armëve.

“Gjetjet tona denoncuese duhet të shërbejnë si thirrje zgjimi për komunitetin ndërkombëtar: ky është gjenocid. Duhet të ndalet tani”, ka shkruar në raport Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e “Amnesty International”.

Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat për gjenocid kundër tij si një “shpifje anistemite gjaku”. Izraeli po sfidon akuzat e ngjashme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ka hedhur poshtë akuzat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i tij i Mbrojtjes kryen krime lufte në Gaza.

“Organizata e mjerueshme dhe fanatike ‘Amnesty International’ ka prodhuar edhe një herë një raport të fabrikuar që është tërësisht i rremë dhe i bazuar në gënjeshtra”, ka vlerësuar Ministria e Jashtme e Izraelit në një deklaratë. Izraeli akuzoi “Hamasin”, i cili është zotuar të asgjësojë Izraelin, për kryerjen e një masakre gjenocidale në sulmin që shkaktoi luftën dhe tha se po mbron veten në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

SHBA-ja beson se pretendimet e “Amnestyt” janë “të pabaza”. Por shtoi se grupet e të drejtave të njeriut luajnë një “rol jetik” në adresimin e pasojave të konfliktit dhe i kërkoi Izraelit të bëjë më shumë për të përmirësuar kushtet humanitare në Gazë.

“Amnesty International” për Izrael, degë lokale e organizatës që nuk ishte e përfshirë në raport, kundërshtoi gjithashtu pretendimin për gjenocid, në një transmetim të rrallë publik të mospajtimit të brendshëm në grupin e të drejtave.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com