Ilustrim

AMMK: Pluhuri i ardhur nga Afrika ka rënduar cilësinë e ajrit në Kosovë

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës ka thënë se ndikimi i masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore ka rënduar cilësinë e ajrit në Kosovë.

Sipas AMMK-së, gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar veçanërisht në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja).

“AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë. Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.  Pluhuri i ardhur nga kjo zonë e Afrikës ku shtrihet edhe shkretëtira e Saharasë, që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit”, thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tyre, bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshin shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër.