Takimi në Inspektoratin Polcicor të Kosovës, Foto: IPK/ Facebook

Amerikani Michael T McKee caktohet këshilltar në IPK

Michael T McKee nga Shtetet e Bashkuara është caktuar këshilltar i  lartë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

IPK-ja ka njoftuar se McKee ka mbi 40 vite përvojë punë në agjenci të zbatimit të ligjit në SHBA, nga të cilat më shumë se 20 vite në fushën e hetimeve të brendshme dhe inspektimeve.

Ai do të ketë edhe një zyrë në objektin e IPK-së ku do të ofrojë përkrahje ditore për menaxhmentin dhe zyrtarët e IPK-së.

IPK-ja tutje ka bërë të ditur se atasheja e Ndihmës Ndërkombëtare të Trajnimit Hetimor Penal-ICITAP pranë Ambasadës amerikane në Kosovë, Kimberly Riffe dhe Shqipe Durguti, koordinatore vendore e ICITAP-it për IPK-në, u takuan sot me kryeshefin e IPK-së Kushtrim Hodaj.

Në këtë takim pune i cili u mbajt në objektin e IPK-së në Hajvali mori pjesë edhe Michael T McKee.

Caktimi McKee në këtë pozitë konsiderohet vazhdimësi e përkrahjes të Ambasadës amerikane në Kosovë dhe ICITAP-it duke ofruar ekspertizë për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Këshilltari McKee së bashku me zyrtarët e tjerë të ICITAP-it u takua edhe me zyrtarë të tjerë të IPK-së ku u njoftua nga afër me rolin dhe misionin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Kryeshefi IPK-së ka falënderuari zyrtarët e ICITAP-it për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane po jep për Inspektoratin Policor të Kosovës duke përfshirë trajnimet e avancuara në fushën e hetimit dhe donacionet në pajisje të specializuara.