Amerika në ethe: Si po e përballojnë votuesit stresin zgjedhor
Danielle Trenney, një menaxhere 39-vjeçare projektesh nga Pensilvania perëndimore e ka marrë aq me stres punën e zgjedhjeve presidenciale amerikane të së martës, saqë ka ndarë mendjen që sivjet ta vendosë më herët bredhin e Krishtlindjes vetëm e vetëm që ta shmangë vëmendjen e familjes prej politikës.
Trenney i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ka edhe anëtarë të tjerë farefisi që po e bëjnë të njëjtën gjë në Belleveue, lagje periferie në Pistburg, ku analistët thonë se gara ndërmjet demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump do të jetë fort e ngushtë.
“Oh Zot, çfarë do ndodhë?”
“Vetëm e vetëm që të qetësohem prej ankthit”, ka thënë Trenney, e cila ka votuar për Harrisin para ditës qendrore të zgjedhore më 5 nëntor. “Gjithçka dhe çfarë kam bërë që të distancohem prej ‘Oh Zot, çfarë do ndodhë?’”
Ulur në stol parku afër saj ishte edhe Jennifer Bunecke, 68 vjeçe dhe dizajnere e pensionuar grafikash, e cila ka ndarë mendjen që ta votojë Trumpin. Buneckes i ka ardhur aq shumë në majë të hundës ashpërsia, thirrjet e vazhdueshme prej anketuesve dhe reklamat zgjedhore në shtetin e saj të fushëbetejës, Pensilvania, saqë kishte menduar edhe të mos dilte fare në zgjedhje.
Të shtunën e fundjavës e ka kaluar duke lexuar një libër me recetash gatimesh vetëm që ta mbante mendjen larg zgjedhjeve. “Kurrë nuk kam qenë pjesë e politikës. Nuk jam rritur kështu”, ka thënë ajo.
Dy kandidatë me botë krejtësisht të kundërta
Një ditë para zgjedhjeve, Amerika është në stres të madh, vlerëson Reuters. Ama me gjithë me mend. Të përballur me dy kandidatë me pikëpamjet radikalisht të ndryshme dhe me vizione të kundërta për të ardhmen e vendit, votuesit po e hanë veten për rezultatet e mundshme – dhe për frikën e trazirave që do të mund të pasojnë.
Ditëve të fundit, korrespodentët e Reutersit kanë folur me më shumë se pesëdhjetë votues në shtatë shtetet e fushëbetejës që do ta përcaktojnë presidentin e ardhshëm. Deklaratat e tyre flasin për një elektorat amerikan në zgrip: Të shqetësuar se si do të dukej vendi prej pikëpamjes së kandidatit të preferuar. Janë të shqetësuar se pala jetër do të bëjë telashe. Të shqetësuar se mos ndasia politike do të thellohet edhe më shumë.
Disa syresh i janë kthyer fesë, jogës, notit ose fitnesit. Disa të tjerë i kanë bërë sytë katër para ekraneve informative, teksa një hise tjetër kanë fikur krejt televizorët dhe celularët për ta arratisur veten në libra ose në ecje të gjata larg shtëpisë.
“Do të doja që celulari im të ishte aq i zgjuar sa ta dinte se tashmë kam votuar”, ka thënë Lynn Nicholson, 72 vjeçe, votuese e Harrisit, duke i bishtnuar fushatës së ashpër dhe reklamave të saj, duke dalë në shëtitje, kujdesur për kopshtin ose shkrepur fotografi. “Është bërë e tepërt”.
Todd Harrison, një 49-vjega shteti i Gjorgjias, i cili ka prirje të votojë për Trumpin, ka thënë se gjatë këtyre ditëve nuk ka shikuar as ndeshje sportive në ekran për shkak të një mali me reklama politike. “Sa më shumë që afrohen zgjedhjet, aq më tepër dua të luaj mendsh”, ka thënë Harrison.
Frika për trazira
Shumë votues thonë se janë të shqetësuar se çfarë do t’i pasojë zgjedhjet, sidomos nëse humb Trumpi. Ata i druajnë një vale padish dhe seancash gjyqësore, demonstratash, madje edhe dhune.
Trumpi pretendon se demokratët mund t’i fitojnë zgjedhjet vetëm nëse i kurdisin zgjedhjet. Harrisi ka thënë se është e gatshme ta konfrontojë Trumpin nëse ai e shpall paraprakisht fitoren.
Sherry gay-Dagnogo, një mbështetëse 57 vjeçe e Harrisit në Detroit, është e shqetësuar se çfarë mund të provokojë retorika e ashpër e Trumpit.
“Është si puna e nxitjes së bastionit për dhunë paraprakisht”, ka thënë ajo. “Është e frikshme”.
Por Lillian Hall, një ish-mësimdhënëse 60 vjeçe dhe pronare e një dyqani në Hendersonville, në Karolinën Veriore, dhe mbështetëse e Trumpit, druan se mund të ketë trazira nëse humb Harrisi.
“Ma ha mendja se do të ketë zemërim të përmasave që ende nuk e kemi parë nëse fiton Trumpi”, ka thënë ajo.
Një sondazh i kryer prej Reuters dhe Ipsos muajin e kaluar ka treguar shqetësimet e shumta se Shtetet e Bashkuara mund të kalojnë nëpër tmerrin që pasoi pas humbjes së zgjedhjeve të 2020-s nga Trumpi, kur presidenti i atëhershëm hodhi poshtë rezultatin zyrtar pa ofruar dëshmi dhe nxiti qindra mbështetës të mësynin Kapitolin amerikan.
Diku 74 për qind e votuesve të regjistruar, të cilët iu përgjigjën sondazhit të 16-21 tetorit, kanë thënë se ishin të shqetësuar se ekstremistët do të mund të kryenin akte dhune nëse nuk do të ishin të lumtur me rezultatet e zgjedhjeve. Demokratët ishin më të prirë për të menduar ngjashëm: 90 për qind e tyre u pajtuan krahasuar me 64 për qind të republikanëve dhe 77 për qind të të pavarurve.
Një mori votuesish kanë thënë se po mundohen të kanalizonin ankthet e tyre, duke u munduar të sigurojnë vota për kandidatin e tyre të preferuar.
Shirley Easton, një 85-vjeçare nga Tuscon në Arizonë, një banore që ka përshkruar gjendjen e saj mendore si “e frikësuar sa s’ta merr mendja”, ka thënë se ka dërguar kartolina ne përpjekje për t’i bindur të njohurit e saj që ta votojnë Harrisin.
Easton ka thënë se druan për të ardhmen e nipave dhe mbesave të saj pas verdiktit të 2022-s të Gjykatës Supreme kur përmbyti vendimin për legalizimin e abortit në mbarë vendin. “Jam shumë e frikësuar për nipat e mbesat e mia”, ka thënë ajo.
Me sytë katër para ekranit
Lisa Fields, një 60-vjeçare që merret me marketing profesional, ishte aq e shqetësuar saqë udhëtoi nga shtëpia e saj në Manahattan në Filadelfia për t’u trokitur njerëzve në derë që ta votonin Trumpin.
Ajo shpreson se Trumpi do të sjellë paqe në Lindje të Mesme dhe se vendi do të bashkohet pavarësisht se kush do të jetë fituesi a fituesja.
“Duhet të bëhemi bashkë për të mirën më të madhe. Dhe unë do të fokusohem në këtë pas zgjedhjeve, sepse nëse nuk pajtohem me njerëzit që mendojnë ndryshe, ata e kanë këtë të drejtë dhe kjo është e bukura e Amerikës”, ka thënë Fields.
Votuesit e tjerë kanë thënë se po mundohen t’u shmangen debateve për zgjedhjet sa më shumë që është e mundshme.
Jean Thomson, 63 vjeçe, ka votuar për Harrisin, duke treguar se dhjetëra broshura politike që i vijnë në postë, pa i lexuar po i hedh në koshin e plehrave.
“Aq ua hedh sytë”, ka thënë ajo, duke shtuar se po kalon më shumë kohë në natyrë për ta kaluar këtë fazë të sikletshme politike të vendit.
Por jo të gjithë e kanë ndarë mendjen që të arratisin shqetësimet në natyrë.
Me të nisur shfaqjen e rezultateve të para të martën në ekran, sytë katër do t’i bëjë Gillian Marshal, një shofer 55 vjeç në Scottsdale në Arizonë.
Demokrati Marshall, i cili tashmë ka votuar për Harrisin, ka shprehur një qëndrim pothuajse universal në mbarë spektrin e ndarë politik.
“Thjesht dua që ky ankth të marrë fund”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com