Foto: Mike Pompeo/Twitter

Amerika i kërkon Vuçiqit njohje të dyanshme Serbi - Kosovë

Sekretari amerikan Mike Pompeo është takuar dje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York.

Sekretari Pompeo vlerësoi marrëdhëniet e forta SHBA-Serbi, thuhet në komunikatë.

Pompeo dhe Vuçiq diskutuan vizionin e ndërsjellë të një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe të mirëqenie të Ballkanit Perëndimor dhe vazhduan mbështetjen e SHBA për qëllimin e Serbisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sekretari Pompeo inkurajoi Serbinë që të përqendrohet në këtë synim strategjik duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rinisjen e negociatave me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të përqendruar në njohjen e dyanshme”, thuhet në komunikatë.

Sekretari përsëriti që të dy palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit, dhe të angazhohen me frymën e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe për të zhbllokuar potencialin e të dy vendeve.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të taksës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Taksa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.

https://kallxo.com/lajm/situata-ne-kosove-teme-kryesore-mes-vuciqit-e-sekretarit-te-shtetit-amerikan/