Amendamenti i AAK-së për rritje të koeficientit të pagës në 150 euro nuk kalon në Komisionin për Buxhet

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, më 15.11.2024, ka nisur shqyrtimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili u miratua në parim javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë komision po shqyrtohen dhe votohen amendamentet që janë propozuar nga deputetët për t’u përfshirë në projektligj.

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit është edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Deputeti i AAK-së,Pal Lekaj tha se ky buxhet është i LVV-së, jo i qytetarëve. Ai kritikoi partinë në pushtet që amendamentet e opozitës nuk po i merr parasysh.

“Para vetes kemi një dokument të rëndësishëm që qytetarët në praktikë duhet t’i gëzohen, sepse përfitojnë, por e them se ky buxhet është i LVV-së, e jo i qytetarëve. Nisem nga ajo që e kemi parë në seancë. Kam menduar që do t’u jepni hapësirë organizatave buxhetore që të dëgjohen kërkesat e tyre që janë legjitime, por në mënyrë diktatoriale i keni larguar. Nuk kam çka të kërkoj amendament sepse kot e kemi”- ka thënë ai.

Grupi Parlamentar i AAK-së përmes një amendamenti ka propozuar të rritet vlera e koeficientit për punëtorët e sektorit publik në 150 euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këtë çështje e kanë rregulluar me rritjen e njësisë së koeficientit

“Në lidhje me çështjen e pagave- ne e kemi trajtuar dhe miratuar këtë, sepse kemi vendosur rritje për një njësi të koeficientit për të gjitha pozitat, që rritja të jetë uniforme, që rritja të jetë 110 euro për pagën ekzistuese. Është joserioze që kjo shumë të propozohet”- theksoi Murati.

“Ne jemi deputet dhe kemi të drejtë me propozu. Ma hajgare që keni bë me ketë buxhet nuk ka qeveri që ka bë”- u kundërpërgjigj deputeti Lekaj.

Për këtë projektligj janë propozuar gjithsej 122 amendamente nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës më 11.11.2024 kanë miratuar në parim Projektligjin për buxhetin për vitin 2025.

Ky Projektligj u miratua me 59 vota për, ndërsa dy deputetë abstenuan.

Në votimin në parim të buxhetit morën pjesë vetëm deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK ishin të pranishëm gjatë diskutimeve por nuk votuan.

Qeveria më 30.10.2024 ka miratuar Projektligjin për buxhetin për vitin 2025 në vlerë 3.6 miliardë euro.

Miratohet në parim buxheti për vitin 2025