AME kërkon gatishmëri nga ekipet emergjente për të reshurat që pritet të ndodhin

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka kërkuar gatishmëri nga ekipet emergjente për situatën e pritshme nga të reshurat.

AME përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook e ka bërë këtë kërkesë duke iu referuar njoftimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ku sipas tyre priten të reshura në pjesë të ndryshme të territorit.

“Referuar njoftimit me dt. 26.02.2023 nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) për situatën e pritshme nga të reshurat në pjesë të ndryshme të territorit, Agjencia e Menaxhimit Emergjent MPB kërkon ngritjen e vigjilencës dhe përcjelljen e situatës nga afër, si dhe rritjen e shkallës së gatishmërisë për reagim të kapaciteteve nga Njësit Profesionale të Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH )dhe  resurseve tjera për Mbrojtje dhe Shpëtim në nivel Komunal” – thuhet në kërkesën e AME.

Qendra Operative e Agjencisë Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se do të plotësojë me njoftime në kohë reale të gjitha zonat ku të reshurat mundë të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rrëshqitje të dheut përmes sistemit të komunikimit emergjent Qendrat Operative Emergjente 112 (QOE 112 ) në gjithë territorin e vendit.

Një ditë më parë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar motin për pesë ditët e ardhshme.