Ilustrim

Ambulancave në Gjilan po u mungojnë edhe infuzionet e injeksionet

Pacientët që po ua mësyjnë qendrave të mjekësisë familjare të Gjilan nuk po i marrin të gjitha shërbimet. Këto qendra po përballen madje edhe me mungesë të infuzioneve dhe injeksioneve.

Një fat të tillë sot e ka pasur një qytetar, i cili ka raportuar në KALLXO.com.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Arbenita Hajdari, e kontaktuar nga KALLXO.com tregoi arsyet e këtyre mungesave.

Ajo tha që për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe për shkak të fluksit të madh të pacientëve kohëve të fundit si pasojë e gripit sezonal janë krijuar këto mungesa.

Ndërkaq, kërkesa për furnizim vjetor që e kanë dërguar në fund të dhjetorit, tha se nuk është aprovuar ende.

“Normalisht ne jemi të furnizuar prej Ministrisë së Shëndetësisë, por këtë muaj ende nuk kemi marrë. Farmacisti më tha që planin vjetor që e kanë dërguar në fundvit, nuk është aprovuar ende nga Ministria” – tha Hajdari.

Ajo tregoi se në fillim të 2022-tës janë furnizuar mirë por pas muajit të katërt dhe të pestë furnizimi ka qenë më i dobët.

E këto mungesa i kanë mbuluar përmes tenderit komunal, në mënyrë që pacientët të mos mbesin keq. Ky tender, siç tha ajo, ka qenë 3-vjeçar, mirëpo është shpenzuar për 2 vite dhe tenderi i ri do të hapet të hënën dhe sërish do të jetë 3-vjeçar. Vlera e tij do të jetë rreth 300 mijë euro.

“Në dhjetor, 30-40%, s’kemi marrë më shumë prej listës esenciale. Kemi marrë disa sirupa antibiotikë, paracetamol, amoksicilin kapsula, mirëpo terapi ampulare edhe infuzione ka qenë mjaft keq” – shtoi drejtoresha.

Ajo tha se shpreson që së shpejti do të furnizohen edhe nga Ministria.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë gjendje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.