Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori Rohde: Serbia ndërhyri në Zgjedhjet në Kosovë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në Zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit në Kosovë, nëpërmjet Listës Serbe.

Këtë qëndrim ai e ka shprehur duke e cituar kryevëzhguesen e Bashkimit Europian për Zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau.

“Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç ka theksuar shefja e Misionit të Vëzhgimit në Kosovë, Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në Zgjedhjet në Kosovë duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave në Serbi, pa asnjë provë.” – ka shkruar ai në rrjetin social “BlueSky”.

 

These attacks and campaigns extend beyond the Serbian border. As EEOM Chief Loiseau highlighted, Serbia interfered in the Kosovar elections by promoting votes for Srpska Lista. At the same time, Serbia baselessly accuses Kosovo of supporting genuine protests in Serbia without any evidence.

[image or embed]

— Ambassador Jörn Rohde (@pristina.diplo.de) February 18, 2025 at 2:16 PM

Ai ka shpërndarë një postim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ku thuhet se situata në Serbi mbetet shqetësuese.

“Aktivistët përballen me sulme dhe fushata shpifëse për të ngritur zërin e tyre. Mediat dhe politikanët duhet të veprojnë me përgjegjësi. Serbia është një kandidate e BE dhe si e tillë, ne presim që ajo të mbështesë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.” – thuhet në reagimin e Ministrisë gjermane.

Një ditë pas Zgjedhjeve, më 10.02.2025, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se Lista Serbe e ka shënuar një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë” në Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në Kosovë – duke treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t’u mbështetur te Serbia e tyre”.

“Ata (serbët në Kosovë) kanë një President të tyre, një atdhe të tyre dhe atë atdhe, Serbinë, e duan më shumë se çdo gjë në botë. Jam pafundësisht mirënjohës ndaj tyre dhe ata kanë treguar se si një popull sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe serioze në një situatë të vështirë.” – tha Vuçiq, gjatë një interviste për televizionin Pink.

Vuçiq tha se “nuk dëshiron” të spekulojë apo “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që do ta formonte një Qeveri me Albin Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”.

Me 99% të votave të numëruara nga Zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetje absolute nga Beogradi zyrtar, siguroi 36.784 vota, ose 4.43%.

Ndërsa, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i mori rreth 3.861 vota, ose 0.46%.

Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.