Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori Rohde: Gjermania partner i palëkundur në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Gjermania vazhdon të jetë një partner i palëkundur në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin e Evropian.

Ai këtë deklaratë e ka publikuar në rrjetin social Twitter, teksa ka shpërndarë një postim të ambasadorit të BE-së, në Kosovë Tomas Szunyog i cili kishte njoftuar rreth dorëzimin e Raportit të Progresit për Kosovën, që u publikua të martën.

Në këtë raport janë paraqitur ngecje për Kosovën në disa fusha përfshirë sundimin e ligjit.

Në Raportin e Progresit të publikuar të martën, mes tjerash thuhet se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

“Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, theksohet në këtë dokument.