Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Ambasadori Kosnett për strehimin e afganëve: Kosova demonstroi lidership në skenën globale

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka falënderuar qeverinë dhe popullin e Kosovës për vullnetin që t’u ofrojë strehim partnerëve afganë.

Ai përmes rrjetit social Twitter tha se Kosova edhe njëherë dëshmoi lidership në skenën globale.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpreh falënderimet e mia më të thella për qeverinë dhe popullin e Kosovës për vullnetin tuaj që t’u ofroni strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre për një jetë të re. Edhe një herë, Kosova demonstroi lidership në skenën globale”, ka thënë ai.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi.

Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja.

Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi duke e rrezikuar edhe jetën e tyre.