Ambasadori italian e konsideron të motivuar politikisht sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiq

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, e ka dënuar sulmin e djeshëm ndaj djalit të politikanit Nenad Rashiq.

Përmes një postimi në Twitter, Orlando këtë sulm e ka konsideruar si të motivuar politikisht.

“I bashkohem dënimit të parezervuar të agresionit të motivuar politikisht kundër të birit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, një sulm ndaj vetë demokracisë. Dhuna duhet të kundërshtohet vendosmërisht nga të gjithë dhe të dënohet nga institucionet përkatëse”, ka shkruar ai.

Djali i politikanit të njohur serb të Kosovës, Nenad Rashiqit, është rrahur gjatë ditës se djeshme derisa ai po dilte nga shkolla.

Nikolla Rashiq, djali i Nenad Rashiqit, është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Nenad Rashiq, në një intervistë ekskluzive në KALLXO Pernime ka treguar se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiç.

“Djali tani është në shtëpi. Nesër do t’i vazhdojmë kontrollet e mëtutjeshme. Pas përfundimit të shkollës, ka qenë një grup rreth 30 persona, që përveç boksave të hekurt, ata kanë pasur edhe çekiçë e thika. Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë unë nuk kam pritur që djali im duhet ta paguajnë çmimin kaq jonormal”, tha Rashiqi në “KALLXO Pernime”.

 

 

 

Rrahet djali i Nenad Rashiqit në Graçanicë