Ambasadori i Zvicrës: Ne do ta ngrisim zërin për juve për liberalizimin e vizave

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Ambasadori Kolly gjatë takimit ka konfirmuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë pozitive.

Ai shtoi se do ta ngrisin zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndonëse kushti ETIAS sipas tij nuk është pozitiv.

“Marrëdhëniet mes vendeve tona janë pozitive, jo vetëm për ju por edhe për ne. Ju keni shumë njerëz që kanë zhvilluar bizneset e tyre, artistë që janë aktivë në Zvicër. Vizat natyrisht janë dhimbje koke, kushti për ETIAS nuk është pozitiv. Ne jemi pjesë e Schengen por nuk kemi të drejtë të votës, mirëpo ne do ta ngrisim zërin për ju. NATO është çështje e BE-së, ndonëse s’jemi pjesë e BE-së mendoj që kjo është çështje e rajonit” – tha Kolly.

Ai shtoi se po fokusohen tek furnizimi me ujë dhe ndryshimet klimatike.

“Ne do të jemi të gatshëm t’i ndajmë përvojat tona për këto çështje”- u shpreh Kolly.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, në takim ka listuar prioritetet e Kosovës duke përmendur liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

“Prioriteti jonë i parë është liberalizimi i vizave, i dyti është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, siç e dini ne kemi aplikuar, dhe i treti është anëtarësimi në NATO, duke filluar me anëtarësimin në partneritetin për paqe. Më duhet të ju them se jemi falënderues ndaj Zvicrës për ndihmën gjatë luftës, pas luftës dhe tani. Mendoj që marrëdhëniet tonë bilaterale janë të lidhura, ne kemi diasporën në Zvicër e cila është e madhe, nuk është vetëm për financa por edhe në bashkëpunimin ndërkulturor” – tha Abazi.

Pas këtyre deklaratave takimi po vazhdon me dyer të mbyllura për media.