Ambasadori i Suedisë në Kosovë: Kosova po përballet me sfida serioze mjedisore e klimatike
Organizata zvicerane “Helvetas” , përmes një konference, në Prishtinë ka shpalosur programin e saj për aftësinë, karrierën dhe inovacionin lidhur me mbrojtjen e mjedisit në vend, sot më 05.11.2024.
I pranishëm në konferëncë ishte edhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, i cili tha se për të gjetur zgjidhje inovative dhe për të pasur zhvillim ekonomik në vend, të gjithë akterët shoqërorë duhet të punojnë krahë për krahë me njëri tjetrin.
“Krijimi i vendeve të punës, zgjidhjet inovative dhe zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës shkojnë krah për krah. Secili prej jush përfaqëson këto tema në mënyra të ndryshme. Shoqëria civile, media, vendimmarrësit, akademikët, sektori publik dhe privat duhet të punojnë krah për krah”- tha Wasterlund.
Westerlund përmendi disa modele të inovacionit në Suedi për të cilat thotë se këto modele i duhen edhe Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Ne në Suedi besojmë se jemi mbretër të inovacionit. Modeli suedez i qëndrueshmërisë është unik, është një bashkëpunim mes akterëve të ndryshëm. Kemi arritje të mëdha, si prodhimi i çelikut të gjelbër dhe sistemi i energjisë së rinovueshme, që po vendosin standard global. Kemi gjithashtu inovacione si transporti urban, me transport publik me zero emetim”- tha Wasterlund
Ambasadori suedez, foli edhe për potencialin e Kosovës në energjinë diellore, që sipas tij duhet t’i ofrohet rrugë drejt pavarësisë energjetike për të krijuar një mjedis të pastër në Kosovë.
“Këto avancime ofrojnë një model për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të reduktuar emetimet dhe për të modernizuar transportin publik. Potenciali i Kosovës në energjinë diellore dhe të erës e bën këtë shembull veçanërisht të rëndësishëm, duke ofruar rrugë drejt pavarësisë energjetike dhe një mjedis më të pastër”- tha ambasadori Wsterlund.
Westerlund, tutje është shprehur se Kosova po përballet me sfida serioze mjedisore e klimatike, për çka tha se kanë punuar për të adresuar këto problematika duke ndihmuar edhe në përmirësimin e ligjeve mjedisore në Kosovë.
“Kosova, ashtu si vendet e tjera, përballet me sfida serioze mjedisore dhe klimatike. Ne kemi punuar së bashku për të adresuar këto çështje, duke ndihmuar në përmirësimin e ligjeve mjedisore, zhvillimin e planeve të rritjes së qëndrueshme dhe promovimin e planifikimit urban të zgjuar”- tha Wasterlund.
Ndërkaq, Drejtori Rajonal i “Helvetas” Matthias Herr, konsideron se përmbytjet dhe thatësirat e shpehsta dhe të ashpra, po prishin bujqësinë dhe po bëjnë që të rriten çmimet e ushqimeve.
“Jemi në kërcënim të vazhdueshëm nga prerje e paligjshme të pyjeve, zgjerimit urban dhe zjarreve”- është shprehur Herr.
Herr tha se prerja e pyjeve, zgjerimi urban dhe zjarret po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën urbane, ngase sipas tij shumë njerëz po migrojnë nga zonat rurale duke i lënë pas sfidat ekonomike dhe sociale.
Konferenca Rajonale “Generation Green: Skills Karriera dhe Inovacioni” synon të sigurojë një platformë dinamike për të bashkëpunuar duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe organizohet nga shoqata zvicerane “Helvetas”.