Ambasadori i Shqipërisë në OKB: Pavarësia e Kosovës nuk është për diskutim

Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka kërkuar nga të pranishmit t’i gjejnë ndonjë argument nëse Ballkani nuk është më mirë me Kosovën të pavarur.

“Pavarësia e Kosovës nuk është temë për diskutim, kosovarët kanë vendosur. Më gjeni një provë ose argument se Ballkani nuk është më mirë me Kosovën e pavarur”, ka thënë ai.

Hoxha theksoi avancimin e Kosovës në procese zgjedhore, përfaqësimin e grave në pozita të larta shtetërore si dhe ndihmën që dha për strehim të refugjatëve afganë e gazetarëve nga Ukraina.

“Zgjedhjet në Kosovë kanë dëshmuar se sa shumë Kosova ka avancuar. Kosova është një demokraci e plotë dhe vend i rëndësishëm për stabilitetin në rajon. Vlen të përmendet edhe përfaqësimi i grave në Kosovë në pozitat më të larta shtetërore, pranimi i refugjatëve afganë dhe tani gazetarët nga Ukraina”, shtoi Hoxha.

Përfaqësuesi i Shqipërisë po ashtu potencoi se misioni UNMIK nuk ka më çfarë të bëjë në Kosovë.

“Për 23 vite UNMIK ka ndihmuar Kosovën në procese të shumta, por që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, shumë prej kompetencave janë transferuar tek autoritetet e Kosovës. Ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Nuk ka më ndonjë funksion të dukshëm”, shtoi ai.

Hoxha foli edhe për krimet gjatë luftës në Kosovë, personat e zhdukur e viktimat e dhunës seksuale.

Ai po ashtu tha se Rusia po përdor propagandën e saj edhe nëpër Ballkan duke vënë theksin tek sulmet e fundit ndaj policisë së Kosovës, që sipas tij, kanë për qëllim krijimin e një konflikti artificial.