Ambasadori i SHBA-së në OSBE kërkon hetim për sulmet në veri
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Michael Carpenter në përgjigjen e tij ndaj raportit të Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vlerësuar lartë punën e kësaj organizate në Kosovë në fushën e sigurisë publike, demokratizimit dhe të drejtave të njeriut.
Në përgjigje e tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Carpenter ka përmendur sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri ditëve të fundit, duke theksuar nevojën që këto sulme të hetohen plotësisht.
“Ne monitoruam nga afër incidentet që synonin policinë në veri dhe dënuam sulmet, të cilat duhet të hetohen tërësisht. Këto sulme ndodhën ndërsa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne paralajmëruam kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit Carpenter.
Poashtu, Carpenter ka vlerësuar procesin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pa ndihmën e OSBE-së.
“Zgjedhjet lokale në tetor dhe nëntor 2021 ishin një arritje e rëndësishme në atë që ishin cikli i parë, siç e vutë re, procesi i plotë zgjedhor i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës pa ndihmën e OSBE-së. Në mënyrë domethënëse, këto zgjedhje nxorën shumë kryetarë të zgjedhur për herë të parë, një testament (tregues) për gjallërinë e demokracinë në Kosovë”, thuhet në të.
Tutje ai ka inkurajuar OSBE-në në Kosovë për përpjekje për demokratizim, së bashku me qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore në qeverisjen vendore.
Përveç kësaj, ambasadori amerikan në këtë përgjigje ka përmendur edhe gatishmërinë e OSBE-së për të mbledhur votat për zgjedhjet serbe për të cilat ishte kërkuar që të mbaheshin në Kosovë.
“Ne gjithashtu përgëzojmë gatishmërinë e Misionit për të mbështetur edhe një herë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës me të drejtë në zgjedhjet e Serbisë”, thuhet tutje aty.
Tutje në këtë përgjigje, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Michael Carpenter ka shprehur keqardhje që Kosova nuk është pjesë e kësaj organizate.
“Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Ne e presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë”, thuhet në letër përgjigje.
Ditëve të fundit ka pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Sulmi i fundit ka qenë më 26 prill, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Sveçla: Policia e Kosovës në veri u sulmua me kallashnikov dhe granata dore