Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Ambasadori i ri i ShBA-së në Kosovë: Mezi po pres të kthehem në Prishtinë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se mezi pret që të kthehet në Prishtinë për të punuar në forcimin e marrëdhënieve në mes të ShBA-së dhe Kosovës.

Këtë ai e ka thënë në një postim në Twitter derisa i është përgjigjur urimit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Mezi pres të kthehem në Prishtinë dhe të punoj me homologët e mi nga Kosova për të forcuar dhe thelluar më tej marrëdhëniet ShBA-Kosovë”, ka shkruajtur Jeff Hovenier.

Hovenier në pozitën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të zëvendësojë ambasadorin e deritashëm Philip Kosnett.

Qysh në korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin bërë të ditur se Hovenier do të ishte në krye të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.