Ambasadori i Kosovës në New York, Blerim Reka. Foto: Blerim Reka në Facebook.

Ambasadori i Kosovës në New York: Në pritjen për përvjetorin e Pavarësisë morën pjesë edhe diplomatë të shteteve jonjohëse

Ambasadori i Kosovës në New York, Blerim Reka ka bërë të ditur se për nder të Pavarësisë së Kosovës në ngjarjen festive të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës atje morën pjesë edhe ambasadorë të shteteve jonjohëse.

Reka përmes një postimi në Facebook njoftoi se në këtë ngjarje morën pjesë “rreth 200 mysafirë; nga të cilët 50 ambasadorë dhe diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së (përfshirë edhe shtete jonjohëse), zyrtarë amerikanë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare”.

Ai tha se në fjalën e tij tregoi per rrëfimin e sukseshëm të shtetndërtimit demokratik të Kosovës, pas luftës çlirimtare kundër kolonializmit, aparteidit dhe gjenocidit të Serbisë kundër shqiptarëve. 

“Lavdi UÇK-së dhe Kryekomandantit Adem Jasharit, falënderim i përjetshëm SHBA-ve dhe NATO-s.” – tha ai.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se në emër të SHBA-ve uroi John Kelly, nga Misioni i Përhershëm i SHBA-ve në OKB, i cili në fjalën e tij tha se është nder të festojmë bashkë Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Foto: Ambasadori i Kosovës në New York / Blerim Reka në Facebook.

“Në emër të popullit të SHBA-ve ju lutem pranoni urimet më të ngrohta për Ditën e Pavarësisë. Lidhjet midis popujve tanë janë të forta. Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është momenti për të nderuar të arriturat e kaluara dhe për të shikuar drejt së ardhmes së ndritshme dhe lidhjet më të ngushta midis shteteve tona.” – shkruan në njoftim.

Izraeli është shteti i fundit që ka njohur Kosovën. Ky vend e kishte njohur mëvetësinë e Kosovës, më 01.02. 2021, në kohën kur shkurtazi Qeverinë e udhëheqi Avdullah Hoti, pas tri vjetësh pa asnjë njohje. Avazi i njëjtë ka vijuar edhe në vitet pasardhëse.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike që u kurorëzua me një Ambasadë në Tel Aviv ka qenë pjesë e një Marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator 2020. 

Në Programin qeverisës 2021-2024 zotohej se Qeveria do të marrë pjesë në Dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që Marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së, si dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës – një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.

Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit.

Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe Administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara – duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.

Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.

Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian – një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën Administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.

Para shpalljes së Pavarësisë, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari ofroi Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës, i cili u njoh edhe si “Plani i Ahtisarit” – duke ofruar një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokument themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi, më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.