Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë uron Kosovën për aplikimin në Këshillin e Evropës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka uruar Kosovën për aplikimin në Këshillin e Evropës.

Rohde ka thënë se mezi e presin anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill.

“Mezi presim ta shohim Kosovën si pjesë të Këshillit të Evropës, familje që punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i përket Këshillit të Evropës. Gjithë të mirat për ofertën e anëtarësimit!”, ka shkruar Rohde.

Kosova dje ka dorëzuar aplikimin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Këshilli ka inicuar fushata për çështje si mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Po ashtu ka zhvilluar fushata për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes në internet.

Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore.

Nga kjo organizate është përjashtuar Rusia se fundmi.

Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (VIDEO)