Ambasadori i Gjermanisë: Duhet vullnet politik për ta zbatuar marrëveshjen e Ohrit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde është shprehur optimist për marrëveshjen e dakorduar në Bruksel e Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se duhet një vullnet politik për të zbatuar atë.

“Kemi një marrëveshje dhe na duhet një vullnet politik për ta zbatuar atë dhe shpresoj që takimi i javës së ardhshme do ta përcaktoj fazën. Në anën tjetër duhet të njohim cilat janë simbolet. Jeta e qytetarëve duhet te bëhet e lehtë, kjo është përgjegjësi politike, dhe unë jam optimist” – ka thënë ai.

Tutje ai ka shkruar se është shumë optimist lidhur me këtë dakordim.

“Jam optimist sepse ka shumë tension dhe presion politik, alternativa dhe rruga në Evropë do të jetë e mbyllur për të dy vendet. Besoj që duhet të jeni të siguritë që për të dy anët jemi të përfshirë” – ka thënë ai.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.