Ambasadori i Francës për marrëveshjen e Ohrit: Pa marrë parasysh mosnënshkrimin, ne e shohim si obliguese

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot teksa ka folur për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se marrëveshja e Ohrit është arritje e madhe dhe përparim në këtë proces.

Ai ka thënë se pa marrë parasysh nëse është nënshkruar apo jo, ai e sheh si marrëveshje obliguese.

“Të dy marrëveshjet janë një arritje e madhe dhe ishin të suksesshëm, dhe udhëheqësit kanë qenë të suksesshëm për të bërë përparim. Pa marrë parasysh a janë nënshkruar apo jo, ne e shohim ketë marrëveshje si obliguese dhe presim që liderët e dy vendeve ta respektojnë zotimin e tyre”- ka thënë ai.

Guerot ka thënë se do të këtë pasoja nëse palët nuk mbajnë zotimet.

Sipas tij, po presin që Kosova të lansoj vendimin për asociacionin siç theksohet në dokument.

“Do të ketë pasoja nëse keto zotime nuk zbatohen, duhet të shohim anën pozitive, duhet të shohim çdo gjë per ta bërë këtë dinamik e te realizuar. Presim nga Qeveria e Kosovës ta lansoj vendimin për asociacion siç theksohet në dokument, ky është hapi i parë. Do të ketë takime në vijim, presim që ata të veprojnë sipas zotimeve të tyre”- ka thënë ai.

Guerot këto komente i ka bërë në diskutimin e Qendres Mediale në Çagllavicë lidhur me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.