Ambasadori i Bullgarisë, shpreh mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bullgarisë, Hristo Gudjev.

Gudjev ka shprehur mbështetjen e Republikës së Bullgarisë si anëtare e BE-së dhe NATO-s për Republikën e Kosovës, në perspektivën e saj evropiane dhe euroatlantike, si dhe integrimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Gudjev gjithashtu e uroi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe formimin e Qeverisë.

Kurse, kryeministri Kurti e vlerësoi përkrahjen e shtetit bullgar për Kosovën duke thënë se Bullgaria është vend mik i Kosovës.

“Ai vlerësoi raportet e mira ekonomike dhe kërkoi që bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve të rritet”, thuhet në komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Në takim u vlerësua edhe siguria e rajonit dhe u theksua nevoja për bashkëpunim të shtuar në mes të dy vendeve, në parandalimin e aktiviteteve nga akterë që kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe cenimin e paqes dhe sigurisë.