Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

Ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE kërkon angazhim dhe mirëbesim në dialog

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Neil Bush në përgjigjen e tij ndaj raportit të Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vlerësuar punën e Misionit të OSBE-së në Kosovë për forcimin e institucioneve, qeverisjes lokale, të drejtave të njeriut dhe komuniteteve.

Në përgjigje e tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Bush ka thënë se Britania e Madhe mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, duke konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij për dialogun Kosovë-Serbi.

“Vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke punuar drejt një marrëveshjeje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që do të jetë në dobi të njerëzve të të dy vendeve. Është jetike që të dyja palët të përmbahen nga çdo retorikë apo aktivitet që mund të zvogëlojë shanset për përparim konstruktiv në dialog dhe një marrëveshje eventuale të përhershme”, thuhet në përgjigje.

Ambasadori Bush po ashtu ka vlerësuar punën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të shfrytëzojnë mundësinë për një angazhim të përtërirë, me mirëbesim në dialog, duke respektuar arritjet e dialogut që kanë bërë deri më tani, dhe duke mbajtur bisedime të rregullta në të gjitha nivelet në frymën e kompromisit dhe të hapjes për pozitive”, ka shkruar ai.

Ambasadori si edhe ambasadori i ShBA-ve në OSBE Michael Carpenter, ambasadori Bush ka dënuar sulmet e ditëve të fundit ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Ne i bashkohemi të tjerëve këtu në dënimin e sulmeve kundër policisë së Kosovës në komunat veriore të Kosovës”, ka shkruar Bush.

 

Ambasadori i SHBA-së në OSBE kërkon hetim për sulmet në veri