Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambasadori i Britanisë së Madhe: Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott është shprehur i zhgënjyer me mos arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel.

Abbott përmes një postimi në Faceboook, ka thënë se është urgjente të bëhet një përparim për marrëveshjen për normalizim.

“Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje. Situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe largon vëmendjen nga misioni i qeverisë për të përmirësuar jetën e tyre”, – ka shkruar ai.

“Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensionit ose të shkaktojnë kërcënime për sigurinë. Nevoja urgjente është të bëhet përparim në një marrëveshje normalizimi që do t’i bënte të panevojshme mosmarrëveshjet për çështje të tilla si targat” – ka shkruar tutje ambasadori Abbott.

Në Bruksel, pas disa orësh ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryediplomatit evropian, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Borrell: Propozimi ynë u pranua nga Vuçiqi, por jo nga Kurti