Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog Foto: KALLXO.com

Ambasadori i BE-së: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen, edhe ajo për Asociacionin

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se të gjitha marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë për Asoaciaionin e Komunave me shumicë serbe.

Në një konferencë për media, Szunyog tha se i takon palës kosovare se si të sugjerojë zgjidhje për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit.

“Si BE dhe kjo është edhe në Raportin e Progresit, duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe kjo përfshinë edhe marrëveshjen nga viti 2013. Më lejoni t’ua përkujtoj se kjo marrëveshje nuk është dakorduar vetëm në dialog, por edhe nga Kuvendi i Kosovës, pra është një ligj i këtij vendi. Kjo i takon Prishtinës, palës kosovare që të sugjerojë mënyra se si të zbatohet, natyrisht që ne jemi në dijeni për vendimin e Gjykatës Kushtetues. Nëse jo [moszbatimi], kjo duhet të ngritet në BE dhe Bruksel dhe të diskutohet”, tha ai.

Paraprakisht kryeministri i Kosovës Albin Kurti i pyetur për këtë çështje tha se “Kjo është një pyetje e vjetër për të cilën ai s’mund të ketë përgjigje të re”.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe peticioni me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve në vitin 2015 dhe fryma e Kushtetutës dhe institucioneve tona, nuk lë hapësirë për solucione monoetnike dhe kjo s’do të thotë që ne nuk i dëgjojmë me vëmendje kërkesat e qytetarëve serb në Kosovë të cilat për ne janë krejtësisht të tjera, me aspiratat që ka Beogradi”, theksoi Kurti.

Në Raportin e Progresit të publikuar të martën, thuhet se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

“Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, theksohet në këtë dokument.