Ambasadori hungarez: Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, veçmas në ekonomi dhe në arsim.

Siç njofton ZKM, Bencze ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

“Hungaria konsideron se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për liberalizimin e vizave”, citohet të ketë thënë ambasadori Jozsef Bencze, i cili e siguroi kryeministrin Hoti se Hungaria do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej agjendën e integrimit europerëndimor të Republikës së Kosovës.

Duke i dëshiruar mirëseardhje ambasadorit Bencze, kryeministri Hoti shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë.

“Kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin Bencze për prioritet e Qeverisë së Kosovës, parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë COVID–19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas komunikatës, kryeministri Hoti ka folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Ndërsa, ambasadori Bencze riafirmoi mbështetjen e Hungarisë për Kosovën, duke ofruar kredi prej 62 milionë eurosh, e cila pritet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

Në këtë takim, u diskutua edhe për organizimin e takimit të Këshillit ekonomik Kosovë – Hungari, si dhe për shkëmbimin e vizitave reciproke në nivel të lartë dhe nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në fushë të arsimit.