Ambasadori Hovenier: Një marrëveshje e rëndësishme është arritur

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se është arritur një marrëveshje e rëndësishme, duke iu referuar marrëveshjes për zbatimin e udhëzuesit për Marrëveshjen Bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar dje në Ohër.

Përmes një ‘cicërime’ në Twitter, Hovenier ka thënë se SHBA do të ofrojë mbështetje të plotë.

“Një marrëveshje e rëndësishme është arritur.  Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve në përputhje me përpjekjet tona afat-gjata për të çuar përpara sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit” – ka shkruar ai.

 

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe dje në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.