Foto: Ambasadori Jorn Rohde/Twitter

Ambasadori gjerman viziton varrezat e viktimave të masakrës së Mejës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, të dielën ka vizituar varrezat e 376 viktimave të masakrës së Mejës.

Rohde bëri të ditur se bashkë me të ishin edhe homologet gjermanë e belgë nga Beogradi.

“Dje së bashku me shefat gjermanë dhe belgë nga Beogradi vizitova vendin memorial “Lëndina e pikëllimit” në Mejë, kushtuar 376 viktimave të masakrës së Mejës të 27 prillit 1999”, ka shkruar ambasadori.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se prokurorja e shtetit, Drita Hajdari, bashkë me Policinë e Kosovës dhe njësitet përkatëse, ka bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën e Mejës në komunën e Gjakovës, ku nga forcat serbe janë vrarë qindra civilë shqiptarë.

Masakra e Mejës është një ndër masakrat më të mëdha të kryera mbi popullsinë civile gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe sipas informacioneve që i ka aktualisht Prokuroria, aty janë vrarë 376 persona.

Gjatë ditës, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe kanë siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur.

Prokurorja Hajdari citohet të ketë thënë se  “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile si dhe dëme tjera materiale”.

Prokurorja Hajdari po ashtu ka sqaruar se misioni EULEX ishte përgjegjës për procedimin e krimeve të luftës.

“EULEX ka filluar hetime për këto krime dhe në një moment janë pezulluar ato. Edhe pse rastet e krimeve të luftës ishin në kompetencë të PSRK-së, një kohë të gjatë ligji nuk lejonte të rihapeshin hetimet. Mirëpo, me ndryshimin e fundit të Ligjit për gjykim në mungesë, na është mundësuar rihapja e hetimeve dhe tani jemi këtu në vendin e krimit, me policinë dhe forenzikën, për të lokalizuar vendet ku janë kryer krimet dhe për t’i siguruar provat e nevojshme”, citohet të ketë thënë Hajdari.

Po ashtu, bëhet e ditur se deri më tash në lidhje me këtë masakër janë dëgjuar 126 dëshmitarë dhe në të ardhmen, sipas Prokurorisë Speciale, pritet të dëgjohen edhe një numër i madh dëshmitarësh të tjerë, ndërsa deri më tani është arritur të identifikohet një numër i madh i kryerësve të krimit dhe atyre që kanë dhënë urdhër.

Rrëfimi i Lush Krasniqit, të mbijetuarit të Masakrës së Mejës – LIVE