Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Ambasadori gjerman - Serbisë: Projektligji për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë, shkel detyrimet në dialog
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i ka cilësuar si shkelje të qarta të obligimeve të Serbisë në dialogun Kosovë- Serbi, veprimet e fundit që ky shtet i ka ndërmarrë në raport me Kosovën.
Rohde ka thënë se Gjermania i kërkon Serbisë të rishqyrtojë projektligjin e saj që e shpall Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionit të veprave penale.
Më 01.11.2024 ai ka shpërndarë në rrjetin social “X”, një deklaratë të Zyrës së Jashtme Gjermane lidhur me këtë çështje.
“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionin e vepravepenale shkel qartë detyrimet e saj të Dialogut. I kërkojmë Serbisë të rishqyrtojë. Të dy vendet duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë ASMM”- thuhet në reagim.
Germany 🇩🇪 asks Serbia 🇷🇸 to reconsider its draft legislation declaring Kosovo an area of special protection and jurisdiction of criminal offences since this would constitute a clear violation of Dialogue obligations https://t.co/joCHrqlGS8
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 1, 2024
Edhe Bashkimi Europian i ka cilësuar si shkelje të qarta të obligimeve të Serbisë në Dialogun Kosovë- Serbi, veprimet në raport me Kosovën.
Qeveria e Serbisë disa ditë më parë ka miratuar projektligjin me të cilin Kosova shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale. Ndër tjera, nga qeveria serbe është miratuar edhe projektligji për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Veprimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur veprime armiqësore e agresive ndaj Kushtetutës, ligjshmërisë, integritetit territorial, sovranitetit, paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Ky vendim i qeverisë së Serbisë vjen pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në shtator, i cili, duke prezantuar të ashtuquajturat “masa dhe kërkesa” për Kosovën, deklaroi se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në “persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Gjatë adresimit të tij më 13 shtator, Vuçiq kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.
BE-ja kritikon Serbinë për shkelje të obligimeve të dala nga dialogu me Kosovën