Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Ambasadori gjerman reagon pas miratimit të dy ligjeve: Për Kosovën "çdo mundësi e humbur është shumë"
Miratimi i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është mirëpritur as nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Diplomati gjerman ka thënë se kosovarët duan të jenë pjesë e familjes europiane dhe nëse qeveria e Kosovës, dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet BE-së.
“Çdo mundësi e humbur është shumë”- ka shkruar Rohde në “X”, duke shtuar se BE, Këshilli i Europës dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar.
Më 11.07.2024, me 59 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë projektligjin për KPM-në. Ndërsa, më 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Të pranishëm gjatë votimit të këtij projektligjeve ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Për Ligjin për KPM-në deputetët nga LVV, Dimal Basha dhe Eman Rrahmani kanë abstenuar. Ndërkaq, deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë qenë të pranishëm në sallë kur është votuar ky ligj.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar që të hiqen nga rendi i ditës i seancës [11.07.2024], të tri projektligjet e kontestuara: ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Projektligji për Zyrtarët Publikë.
Organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.
Ky Projektligj i dorëzuar më 27.12.2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.
Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Bashkimi Europian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilët janë në lexim të dytë në seancën e Kuvendin e Kosovës më 27.06.2024.
Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.
Ndërsa për projektligjin për Këshilin Prokurorial, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, pati deklaruar se pret që drafti të përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Sipas memorandumit shpjegues, ky Projektligj synon eliminimin e mangësive ligjore të identifikuara, në mënyrë që KPK t’i ushtroj kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore të përmendura më lartë.
Në mars të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.