Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori gjerman reagon ndaj deklaratës së Goran Rakiqit, i cili aksionin e Policisë e krahasoi me 'Natën e Kristaltë'

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se krahasimi i aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri kundër kontrabandës së mallrave me “Natën e Kristaltë” është i papranueshëm.

Ky reagim vjen pasi kryetari i Listës Serbe dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, e përshkroi operacionin e sotëm në veri si “Crystal Night” apo “Nata e Kristaltë”.

“Ndaloni! Krahasimi i aksionit të sotëm të policisë me “natën e kristaltë” është i papranueshëm. Krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit. #MbroniFaktet”, ka shkruar Rohde në rrjetin social “Twitter“.

Kristallnacht, apo “Nata e Kristaltë” e quajtur edhe Nata e Xhamit të Thyer ose Pogromet e Nëntorit, nata e 9-10 nëntorit 1938, ishte kur nazistët gjermanë sulmuan hebrenjtë dhe pronat e tyre. Emri “Kristallnacht” i referohet ironikisht mbeturinave të xhamit të thyer të lënë në rrugë pas këtyre pogromeve.

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit ka nisur një aksion kundër kontrabandës në veri të vendit dhe disa lokacione të ndryshme,

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës janë përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

Në këto incidente ka pasur të lënduar e të plagosur edhe në radhët e Policisë edhe të protestuesve. Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.

Policia e Kosovës po kërkon dhjetë persona nën dyshimin për kontrabandë me mallra.