Christian Heldt, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Foto: ZKM

Ambasadori gjerman: Presim që qeveria Hoti t'i mbajë standardet e vendosura nga qeveria paraprake

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka deklaruar se presin nga qeveria e re me kryeministër Avdullah Hotin që të vendosë standarde në qeverisje, me transparencë dhe luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Këto standarde sipas Heldt janë vendosur nga qeveria paraprake, pjesë e së cilës ishte edhe LDK-ja.

“Kosova ka një qeveri të re, të votuar nga shumica e nevojshme e 61 parlamentarëve të zgjedhur. Qeveria e mëparshme me pjesëmarrjen e LDK-së ka vendosur standarde në qeverisje, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Këto tani janë standardet të cilat ne presim të fillohen”, ka shkruar amabasadori në Tëitter.

Heldt ka shtuar se Kosova përballet me sfida të jashtëzakonshme dhe pasojat e pandemisë së coronavirusit.

“Ne do të jemi aty bashkëbisedues për Avdullah Hotin dhe qeverinë e tij për punë serioze në agjendë serioze: dialogu i udhëhequr nga BE, jo korrupsion, sundim i ligjit, pa nepotizëm, qeverisje e standardeve të përcaktuara. Për Kosovën dhe njerëzit e saj”, thuhet në publikimin e tij.

Kuvendi i Kosovës me 3 qershor ka votuar qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin e LDK-së, në bashkëqeverisje me AAK-në, Nismën, Listën Serbe dhe partitë e tjera joserbe.