Ilustrim

Ambasadori gjerman për ikjen e mjekëve nga Kosova: Duhet përmirësuar pagat

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për numrin e madh të mantelbardhëve që po largohen nga Kosova për në Gjermani.

Rohde thotë se ankesa të këtilla kanë edhe nga Kroacia se të rinjtë kroatë po largohen për në Gjermani. Por, siç tha ai, emigrimi është vendim personal.

“Ne kemi rregulla, e kam parë së fundmi edhe një koment nga një ministër kroat i cili u ankua gjithashtu se të rinjtë kroatë të cilët janë në BE po largohen për në Gjermani dhe që secili specialist, jo vetëm për doktorët, por Gjermania duhet të paguajë 50 mijë euro për secilin doktor. Por, emigrimi është një vendim personal. Çfarë ne përpiqemi të bëjmë… dhe sigurisht se e di si ambasador se ajo që është e mirë për Gjermaninë nuk është e mirë për Kosovën, kjo është e sigurt”, u shpreh ambasadori Rohde.

Sipas tij, gjithë Ballkani Perëndimor ka një shkallë të lartë të emigrimit.

Ambasadori deklaroi se për të mos ndodhur kjo duhet përmirësuar kornizën e kushteve këtu: edukimin, ambientin, shëndetësinë dhe sigurisht duhet të përmirësoni pagat.

“Një kamerier fiton 300-400 euro dhe në Gjermani po kërkojnë doktorë, por gjithashtu po kërkojnë për kamerierë, po kërkojnë jo vetëm në Gjermani, njerëz të cilët punojnë në fushën e ndërtimit, pra nuk janë vetëm të kualifikuarit të cilët po largohen. Nuk është vetëm Kosova, i gjithë Ballkani Perëndimor ka një shkallë të lartë të emigrimit. Pra, gjëja kryesore për ne është të përmirësojmë kornizën e kushteve këtu: edukimin, ambientin, shëndetësinë dhe sigurisht duhet të përmirësoni pagat”, tha ambasadori.