Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt

Ambasadori gjerman mirëpret deklarimin e Veselit për çështjen e noterëve

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt e ka mirëpritur reagimin e djeshëm të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili në një intervistë dhënë në KTV ka thënë se çështja e emërimit të noterëve i takon qeverisë së re që pritet të formohet së shpejti.

Ambasadori Heldt ka shkruar se nuk ka parë ndonjë arsye se pse është provuar të nguten me këto emërime.

“Unë mirëpres sqarimet e djeshme në TV nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli, duke mos parë arsyen pse këto emërime duhet të nguten tash. Nuk është personale, e as politike, ka të bëjë me shqetësimet e ngritura në nivelin profesional të noterëve, të cilët dëshirojnë që Kosova t’i bashkohet kësaj familje ndërkombëtare”, ka shkruar ambasadori Heldt në Twitter.

Ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta për çështjen e emërimit të noterëve, për shkak të një procesi i cili ka qenë shumë i përfolur për parregullsi.

Para disa ditëve zyra e BE-së në Kosovë, ambasadori gjerman e shoqëria civile në Kosovë kanë reaguar ashpër.

Madje, ambasadori Heldt kishte deklaruar se aktet noteriale mund të mos njihen jashtë Kosovës.

VV kërkon kthimin e procesit për noterët e rinj në pikën ‘zero’