Ambasadori gjerman lavdëron LDK-në për pozicionimin e saj për zgjedhjen e presidentit

Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka lavdëruar vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për përkrahjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Rohde përmes një postimi në twitter ka thënë se shpreson që të gjithë deputetet të vendosin nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi interesin partiak.

“E lavdërueshme që LDK do të marrë pjesë në procesin zgjedhor për një president të ri.  Shpresojmë që të gjithë deputetët e zgjedhur do të ndjekin dhe vendosin nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi  interesin partiak”, ka shkruar ai.

Rohde ka shtuar se zgjedhjet janë të paimagjinueshme në mes të pandemisë.

“Unë vështirë se mund ta imagjinoj rrezikimin e zgjedhjeve të reja në mes të valës së pandemisë aktualisht të ndezur”, tha Rohde.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë lajmin se ai së bashku me kolegët nga partia do të përkrahin zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Këto deklarime Abdixhiku i bëri dje pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së.

“Të gjithë, bashkërisht, kemi marrë vendim që LDK nuk do të bëjë opstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit”, tha kryetari i LDK-së para mediave të martën.

LDK-ja merr pjesë në votimin për presidentin